Kryetari në dorëheqje i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, në intervistën e tij të parë pas dorëheqjes, në emisionin “Rubikon”, ka sqaruar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi, duke theksuar se ai nuk lidhet me lodhje apo zhgënjim, por me një proces të gjatë reflektimi politik që ka zgjatur më shumë se një vit.
Ai sqaroi se qëllimi i tij kryesor ka qenë rikthimi i PDK-së si forcë e madhe politike në vend, jo vetëm formalisht, por në mënyrë vendimtare.
“Ky vendim nuk ka të bëjë me lodhjen time apo ndonjë situatë zhgënjimi. Kjo ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë — më shumë se një vit. Unë kam pasur një objektiv dhe një qëllim të përgjithshëm: që PDK të rikthehet jo vetëm formalisht, por në mënyrë vendimtare si faktor kryesor politik. Normalisht që objektivi për t’i fituar zgjedhjet nuk ndodhi, por PDK u rikthye tek gravitacioni i saj politik — 200 mijë votëshi që ne kemi pasur gjithmonë. Arritëm ndoshta rezultatin e dytë më të madh pa pasur koalicione parazgjedhore. Garuam me Bedri Hamzën si kandidat, që ishte propozim imi dhe besimi që ai do të duhej të ishte ai që garon. Ishte një angazhim i madh për ta rikthyer PDK-në si forcë të paevitueshme politike, gjë që është evidente tashmë. Po ashtu për të rikthyer besimin e votuesve tradicionalë dhe qytetarëve të tjerë.” – u shpreh Krasniqi.










