Të premten, më 8 gusht, merr fund masa e përkohshme e vënë nga Gjykata Kushtetuese, me të cilën u është ndaluar deputetëve çfarëdo vendimi apo veprimi për konstituimin e Kuvendit.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Nezir Kraki, ka komentuar situatën rreth këtij vendimi të Kushtetueses.
Kraki vlerëson se Kushtetuesja nuk do ta ketë të lehtë të dalë me një vendim të qartë dhe të pakontestueshëm.
“Gjykata Kushtetuese do ta ketë relativisht të vështirë që të dalë me një qartësi të pakontestueshme. Gjykata nuk e ka rolin e deputetëve, por duke qenë se opozita – humbësit e zgjedhjeve – kanë pretenduar edhe pas aktgjykimit se Gjykata u ka dhënë të drejtë, ata vazhduan të përsërisin për më shumë se një muaj pretendimet për shkelje kushtetuese që nuk ishin konstatuar nga vetë Gjykata”, u shpreh Kraki në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Ai theksoi se ndonëse opozita refuzoi të marrë pjesë në “lojën demokratike”, mazhoranca ka tentuar të zhbllokojë situatën përmes pjesëmarrjes në votime.
“Tash, ata prapë kanë bindjen që Gjykata Kushtetuese do të thotë se ne e kemi shkelë Kushtetutën në një mënyrë ose tjetrën. Unë s’e pres atë rezultat”, tha ai.
Sipas tij, duhet të qartësohet situata derisa të modifikohet neni 67-të i Kushtetueses.
“Nëse e analizojmë me vëmendje vitin 2014 dhe tash, mua më del relativisht që është zor për Gjykatën që ta qartësojë njëherë e mirë. Nuk është në pyetje të qartësohet vetëm për tash, por edhe për të ardhmen. Duhet të qartësohet kjo punë, derisa të vijë momenti që ta modifikojmë nenin 67-të të Kushtetutës, i cili sipas meje ka dy defekte aty”, përfundoi Kraki.
The post Kraki: Gjykata Kushtetuese e ka të vështirë të dalë me një qartësi të pakontestueshme appeared first on Kosovapost.net.