Në një botë futbolli që ka prodhuar talente të jashtëzakonshme dekadë pas dekade, është gjithnjë e më e rrallë që një lojtar të bëjë bujë në moshë kaq të re, duke tejkaluar edhe më të mirët e brezave të fundit. Lamine Yamal, talenti i Barcelonës, po shkruan historinë e tij me një ritëm të frikshëm.
Sipas “Transfermarkt”, në moshën 18-vjeçare, vlera e kartonit të Yamal ka arritur në 200 milionë euro, shifër e paimagjinueshme për një futbollist kaq të ri. Krahasimi me yjet e tjerë të gjeneratave të fundit e bën këtë situatë edhe më befasuese.
Në të njëjtën moshë, pra 18 vjeç:
Jude Bellingham, në kohën e tij te Borussia Dortmund, vlerësohej 70 milionë euro.
Kylian Mbappé, kur shpërtheu te Monaco, vlerësohej 35 milionë euro.
Vinicius Jr, me fanellën e Real Madridit, vlerësohej 35 milionë euro.
Erling Haaland, me fanellën e Molde në Norvegji, vlerësohej vetëm 2 milionë euro.
Jamal Musiala, me fanellën e Bayern Munich, vlerësohej 38 milionë euro.
Të gjithë këta emra sot janë ndër më të mirët në botë, por asnjëri prej tyre nuk ka arritur të kapë shifrën (si çmim kartoni në treg) që Lamine Yamal ka regjistruar që tani, pra në moshën 18-vjeçare. Kjo flet qartë për përmasat e talentit që ka shpërthyer në “Camp Nou”, duke mahnitur jo vetëm tifozët blaugrana, por të gjithë botën e futbollit.
Në një kohë ku presioni mediatik, krahasimet dhe etiketimi si “gjeneratë e artë” janë të përditshme, Yamal po tregon se është më shumë se një sensacion. Ai është një fenomen që po lind para syve tanë.
Ndaj, vlera e tij nuk është thjesht numër në treg, por mesazh për të ardhmen e futbollit. Emri që do të udhëheqë dekadën e ardhshme në futboll mund të jetë ai i Lamine Yamal.
The post Krahasimi me yjet e tjerë 18-vjeçarë… Lamine Yamal, fenomeni i ri që po thyen çdo rekord appeared first on Telesport.