Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka njoftuar se deri tani është përmbyllur numërimi i votave në 35 komuna të Kosovës.
Ai theksoi se kanë mbetur për t`u numëruar votat në tri komuna, Prishtina, Peja dhe Leposaviqi, të cilat pritet të përfundojnë nesër.
“Në përgjithësi, nga data 11 shkurt deri më sot (20 shkurt) në orën 16:00, janë numëruar 94.31% apo 2,389 nga 2,533 vendvotime. Pra, kanë mbetur edhe 144 vendvotime që i takojnë këtyre komunave tri komunave”, tha Elezi.
Ai ka theksuar se gjatë procesit të numërimit, i zhvilluar në 38 Qendra Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave për kandidatët për deputetë, është realizuar edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.
“Ky është një proces sigurie që çdo votë të jetë e evidentuar me saktësi”, tha ai.
Elezi ka bërë të ditur se pas përmbylljes së numërimit në më shumë se 2,290 KQZ ka publikuar platformën elektronike ku janë shfaqur të dhënat për votat e kandidatëve për deputetë dhe të dhënat për rezultatin e subjekteve politike.
“Gjithashtu, gjatë ditës me qëllim të rritjes së transparencës, KQZ ka publikuar edhe formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve të cilët janë plotësuar nga ekipet numëruese në Qendrat Komunale të Numërimit”, tha Elezi për televizionin publik të Kosovës.