KQZ tregon se sa persona nga diaspora kanë aplikuar për votim deri më tani

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qëndror Zgjedhor, ka kumtuar se që nga afati i hapjes për aplikim deri në ora 12 të pasdites së të dielës, janë regjistruar rreth 65 mijë aplikime nga diaspora për votim në zgjedhjet qëndrore të 14 shkurtit.

Elezi një gjë të tillë e ka bërë të ditur në emisionin ‘Kosova Voton’, teksa ka shtuar se 35,200 janë të aprovuara.

“Deri më sot, në orën 12, në sistem janë futur rreth 65 mijë aplikacione deri më sot, që nga koha kur ka filluar periudha e aplikimit për votim në zgjedhjet e Kosova. Të aprovuara janë rreth 35,200 aplikacione. Pjesa më e madhe e tyre, më shumë se 20 mijë, deri në orën 12, janë rreth 85 mijë e-maila të pa-hapura”, ka deklaruar Elezi.

Tutje, ai ka sqaruar për opinionin publik edhe lidhur me ankesat që kanë marrë lidhur me thirrjet në orët të vona, për shkak të zonave të ndryshme kohore.

“Deri më tani ne kemi kontaktuar me mijëra aplikues. KQZ ka miratuar vendimin përmes të cilit, qendra e thirrjeve, do të kontaktojnë aplikuesit me zona të ndryshme kohore. Aplikuesit do të kontaktohen përgjatë orës lokale të orarit të rregullt. Në rast se nuk lajmërohet, ne do iu kontaktojmë prapë edhe pas orarit të rregullt”, ka thënë ai.