KQZ sot vendos për listën preliminare të votuesve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të mbajë sot, në orën 15:00, mbledhjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të zhvillohen më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit, në këtë mbledhje, institucioni zgjedhor do të shqyrtojë dhe miratojë Qendrat e Votimit jashtë Kosovës, duke përcaktuar njëkohësisht numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal të votuesve për secilin vendvotim. Ky vendim pritet të ketë rëndësi të veçantë për organizimin e procesit të votimit për qytetarët që jetojnë jashtë vendit.

Po ashtu, KQZ do të bëjë njoftimin me raportin e Listës preliminare të Votuesve, një hap procedurial i rëndësishëm që i paraprin finalizimit të listës zgjedhore për ditën e zgjedhjeve.

“Shqyrtimi dhe miratimi i Qendrave të Votimit jashtë Kosovës, numrin e vendvotimeve dhe numrin maksimal të votueseve për vendvotime, për zgjedhjet e parakohshëm për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që do të mbahen më, 28 dhjetor 2025”, thuhet në njoftim.

Mbledhja e sotme konsiderohet një nga fazat kyçe në konsolidimin e organizimit administrativ zgjedhor, ndërsa vendimet që pritet të merren do të ndikojnë drejtpërdrejt në logjistikën dhe transparencën e procesit të 28 dhjetorit.