KQZ sot certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit

Pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me dy ankesat për rezultatin e zgjedhjeve, është hapur rruga për certifikimin e tyre. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka caktuar mbledhjen për këtë çështje, që do të mbahet sot.

Mbledhja do të fillojë në ora 16:00 dhe rendi i ditës është publikuar.

Fillimisht do të bëhet zëvendësimi i të zgjedhurve që kanë hequr dorë nga pozita e deputetit dhe më pas do të certifikohen rezultatet përfundimtare.

Ndryshe, Supremja rrëzoi të mërkurën si të pathemelta ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, të një kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDAK) – LPB, të cilat kundërshtonin vendimet e Panelit për Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

LVV-ja u ankua në Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, i cili nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për anulimin e votave me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe shkuarjen në rivotim me postë.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me procesin e votimit me postë, pas pretendimeve të LVV-së se ka pasur manipulime nga LDK-ja.