KQZ shpalli rezultatet përfundimtare 34 ditë pas votimit, por kjo s’e shënon fundin e procesit – Çfarë pritet të ndodhë?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të shtunën, ka shpallur rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve Parlamentare të 9 shkurtit.

Rezultatet u shpallën plot 34 ditë pas ditës së votimit – duke shënuar vonesën më të gjatë për shpalljen e rezultateve përfundimtare, që nga zgjedhjet e vitit 2010.

Shpallja e Zgjedhjeve, megjithatë, nuk shënon përfundimin e procesit, por vetëm mbylljen e një kapitulli.

Në 48 orët e ardhshme, sipas Eugen Cakollit nga Instituti KDI, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mund të parashtrohen mbase qindra ankesa, trajtimi i tërësishëm i të cilave mund të zgjasë deri në 12 ditë.

“Prej tyre, gjithsej 6 ditë janë të parapara në PZAP dhe 6 të tjera në Gjykatën Supreme. Kjo, pa llogaritur vendimet që mund të marrin këto institucione, të cilat potencialisht mund të ndikojnë në certifikimin e rezultateve”, ka shkruar ai në platformën sociale, Facebook, transmeton albanianpost.

Vetëm pas certifikimit të rezultatit zgjedhor mund të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës.

Kjo mbledhje konsiderohet e mbyllur vetëm pasi të jenë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Në bazë të rezultatit zgjedhor, kryetari i Kuvendit do t’i takojë Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka fituar më së shumti vota. Por, nëse kjo parti nuk e propozon dikë për kryetar, procesi do të ngrijë në vend.

Por, nëse kryetari i Kuvendit zgjidhet, atëherë nisin tiktaket e orës për afatet tjera.

Presidentja e vendit obligohet që të nominojë partinë fituese të zgjedhjeve si mandatare për formimin e Qeverisë.

Ndonëse as këtu nuk ekziston një afat i saktë, vendimet në fuqi përcaktojnë që procesi duhet të zhvillohet “sa më parë që të jetë e mundur”.

Kabineti duhet t’i sigurojë votat e 61 deputetëve brenda këtij afati. Por, nëse kjo nuk ndodh, presidentja është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja duhet të shpallë dekretin për zgjedhjet e reja, që duhet të mbahen dyzet ditë prej shpalljes së vendimit.

Nga shpallja e rezultateve përfundimtare Lëvizja Vetëvendosje është konfirmuar si partia e parë me 42.3 për qind të votave të fituara apo 396 mijë e 387 vota. Kjo parti ka marrë 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.95 për qind të votave apo 24 ulëse. Kjo parti ka siguruar 196 mijë e 474 vota.

Lidhja Demokratike e Kosovës i ka marrë 18.27 për qind të votave apo 20 ulëse. LDK ka grumbulluar 171 mijë e 357 vota.

Koalicioni AAK-Nisma ka dalë në vend të katërt me 7.06 për qind të votave apo tetë ulëse. AAK-NISMA kanë grumbulluar 66 mijë e 256.

Në nivel vendi të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 966 mijë e 283 qytetarë apo 46.54 për qind nga gjithsejtë 2 milionë e 75 mijë e 868 persona të regjistruar. Numri i fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë 27 mijë e 433.

Te komunitetet, Lista Serbe ka siguruar nëntë ulëse, ndërsa partia e Nenad Rashiç-it “Za Slobodu Pravdu i Opstanak” një ulëse.

Dy ulëse i ka siguruar Kosova Demokratik Turk Partisi, ndërsa nga një ulëse kanë marrë edhe Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Koalicija Vakat, Partia Liberale Egjiptiane, Socialdemokratska Unija, Jedinstvena Goranska PArtija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

LVV-ja, ndonëse, doli partia e parë, ajo nuk mund ta formojë e vetme qeverinë e re. Asaj i duhen edhe 13 deputetë shtesë për të formuar një ekzekutiv të brishtë me 61 ligjvënës.

Partia aktuale në pushtet është e bindur se do ta formojë qeverinë e re, ndonëse për një gjë të tillë i duhet një partner qeverisës. Për Albin Kurtin është ende herët të flitet për mundësitë e koalicioneve, meqë lideri i LVV-së fillimisht po pret certifikimin e rezultateve.

Më e qartë në këtë aspekt është shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së në legjislaturën e kaluar, Mimoza Kusari – Lila, e cila tha se LVV-ja nuk është e hapur për koalicione “jo-parimore” apo për “pazare politike”.

Lideri i PDK-së, Memli Krasniqi, u tregua kategorike, duke refuzuar çdo mundësi bashkëpunimi me LVV-në në legjislaturën e 9-të të Kuvendit të Kosovës.

“Jo, nuk shkojmë në koalicion, në asnjë formë, pikë”, tha ai i bindur gjatë një interviste në RTV Dukagjini.

Në vlerësimin e tij PDK-ja dhe LVV-në nuk përputhen në pothuajse “asgjë”, andaj, sipas tij, PDK-ja nuk bën koalicion me LVV-në as në skenarin kur asaj i takon posti i kryeministrit.

Përkundrazi PDK-ja po synon që si partia e dytë të punojë për të formuar një qeveri të partive opozitare, në rast se LVV-ja dështon në krijimin e institucioneve të reja.

“Si partia e dytë më e madhe ne do të ndërmarrim hapat e duhur për të zbatuar vullnetin e shumicës së votuesve. Ne do të punojmë që të japim qytetarëve qeverinë për të cilën kanë votuar shumica. Nëse nuk mundet partia e parë të formojë institucionet, opozita si fituese e këtyre zgjedhjeve mund ta bëjë qeverinë e re”, tha kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, një ditë pas procesit zgjedhor.

Kategorik ndaj LVV-së u treguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, megjithatë la të nënkuptohet se partia e saj me mbi 17 për qind të votave të fituara nuk do të jap “dritë të gjelbër” as një koalicioni të gjerë opozitar për të formuar qeverinë e radhës.

“Nëse populli vendos të na mbajë në opozitë, ne do të qëndrojmë në opozitë”, tha ai.

Çdo mundësi bashkëpunim me partinë e parë e ka hedhur poshtë edhe kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – NISMA Socialdemokrate, Ramush Haradinaj.

Në vlerësimin e tij qeverinë e re duhet ta formojnë partitë opozitare, meqë shumicën e ka opozita (52 mandate).

“Ka komunikim të ndërsjellë [me opozitën], nuk ka ndonjë avancim konkret për shkak se janë edhe afatet kushtetuese, por besoj ka gatishmëri që të ecim”, deklaroi Haradinaj.

Ndryshe nga Haradinaj, një qëndrim më pozitivë për mundësinë e një koalicioni me LVV-në dha partneri i koalicionit, Fatmir Limaj, i cili siguroi tri deputetë brenda koalicionit.

Limaj bëri një prerje duke deklaruar se AAK-ja e NISMA ndonëse garuan brenda një koalicioni, janë parti të ndara, andaj edhe nuk e kanë të domosdoshme të votojnë njëjtë.

Duke e vënë në pah kontekstin nacional, Limaj nuk e mohoj as mundësinë që të ulet në një tavolinë me Kurtin për të diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit.

“Kush të më fton në tavolinë, unë shkoj e ulna, për tema nacionale”, tha ai.

Për këtë ofertë të hapur LVV-ja ende nuk dha një qëndrim zyrtar, ndonëse Kusari – Lila tha se në këtë rast nuk mjafton vetëm gatishmëria.

“Duhet të diskutohen çështjet më përmbajtjesore”, shtoi ajo.