Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë e ka miratuar të shtunën rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve lokale, për raundin e parë me përjashtim të tri komunave, Prishtinë, Junik dhe Mamushë.
Në këto komuna do të shpallet rezultati pas vendimit të Gjykatës Supreme.
Prizreni, Gjakova, Gjilani, Dragashi, Kaçaniku, Klina, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Obiliqi, Rahoveci, Peja, Suhareka, Vitia, Vushtrria dhe Kllokoti janë komunat ku kandidatët për kryetarë do të përballen në balotazh.
Në nivel vendi, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) udhëheq me numrin më të madh të garave në balotazh që do të mbahen më 9 nëntor, e pasuar nga LDK, PDK, AAK dhe Lista Serbe.
LVV-ja, garon në 11 komuna në balotazh
LDK-ja, garon në 7 komuna në balotazh
PDK-ja, garon në 6 komuna në balotazh
AAK-ja, garon në 5 komuna në balotazh
Lista Serbe, garon në 1 komunë në balotazh në Kllokot.
LVV-ja pa ballotazh ka fituar në Kamenicë, Podujevë dhe Shtime, ndërsa PDK-ja në Skenderaj, Ferizaj dhe Han të Elezit. Pa balotazh, LDK-ja ka fituar në Istog dhe Lipjan, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Deçan.
Gara është mbyllur që më 12 tetor edhe për Ramiz Lladrovcin në Drenas, si dhe për Nismën në Malishevë.
Lista Serbe i ka fituar pa balotazh nëntë komuna me shumicë serbe.










