Me më pak se tre javë deri në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po garon me kohën për të siguruar kontratat emergjente që garantojnë funksionimin teknik të procesit zgjedhor, shkruan Demokracia.com.
Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkon kah faza më kritike e përgatitjeve teknike. Në këtë periudhë kur kontratat emergjente duhej vetëm të konfirmoheshin dhe proceset të ishin duke u finalizuar, KQZ-së i ka dështuar një nga tenderët më të rëndësishëm të gjithë ciklit zgjedhor, ai për shërbimet postare të votimit jashtë vendit, me një vlerë të parashikuar prej 1.739.152 euro.

Tenderi, i nisur në procedurë të jashtëzakonshme, pa publikim të njoftimit për kontratë, synonte sigurimin e një operatori që do të mbulonte dërgimin dhe kthimin e mbi 57 mijë fletëvotimeve në 58 shtete të botës. Por, pavarësisht se KQZ ka dërguar ftesa të mbyllura, asnjë kompani nuk ka paraqitur ofertë, duke detyruar anulimin e procedurës dhe duke vënë në pikëpyetje një prej proceseve më delikate të zgjedhjeve, votimin përmes postës nga diaspora.

Dokumentet e tenderit tregojnë një operacion logjistik të jashtëzakonshëm, që kërkon kapacitete të mëdha brenda afateve tepër të shkurtra. Operatorit ekonomik i është kërkuar të sigurojë brenda 24 orëve të nënshkrimit të kontratës tri lloje zarfesh: atë dërgues, zarfin kthyes dhe zarfin e fshehtësisë, të gjitha me specifika të rrepta sigurie, përfshirë rezistencën ndaj grisjes dhe mbylljen me vetëngjitëse të forta.
Këto materiale pastaj duhej të viheshin në dispozicion të KQZ-së, e cila do t’i mbushte me fletëvotime dhe i kthen operatorit për t’i nisur në adresat e votuesve të regjistruar jashtë vendit. Operatorit i kërkohej që dërgimi të bëhej brenda një afati maksimal prej 48 orësh për vendet evropiane dhe 72 orësh për vendet e tjera të botës, me detyrimin që çdo zarf të dorëzohej vetëm te votuesi personalisht, me identifikim dhe me të paktën dy tentativa dorëzimi. Për më tepër, nga momenti i nënshkrimit të kontratës, KQZ duhej të dërgonte brenda një ore listën me të dhënat e votuesve – mbiemra, adresa, kode postare, numra telefoni dhe email që operatori të përgatiste etiketat e transportit dhe të regjistronte dërgesat në sistem. Afatet e planifikuara parashihnin që të gjitha dërgesat me fletëvotime të niseshin deri më 15 dhjetor, në mënyrë që votuesit në Evropë t’i merrnin deri më 17 dhjetor, ndërsa ata në shtetet e tjera deri më 18 dhjetor.
Nëse ky afat ishte sfidues edhe me një operator të kontraktuar, pas anulimit të tenderit ai është praktikisht i pa realizueshëm, duke rritur ndjeshëm rrezikun që fletëvotimet të mos arrijnë me kohë te diaspora.
Përtej Lotit të parë, tenderi i dështuar përfshinte edhe dërgimin e materialeve zgjedhore në mbi 30 përfaqësi diplomatike ku pritet të hapen qendra të votimit më 27 dhjetor. Kutitë e votimit, kabinat, vulat, fletëvotimet, librat e votimit dhe materialet përcjellëse duhej të paketoheshin në kuti të posaçme dhe të dërgoheshin paraprakisht në ambasada. Këto materiale pas votimit do të ktheheshin në Kosovë si dërgesë diplomatike. KQZ ka lënë të hapur mundësinë që disa shtete me numër të vogël votuesish të mos hapin qendra fizike votimi, duke i kaluar qytetarët në votim përmes postës.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e kontratës ka të bëjë me kthimin e fletëvotimeve të dërguara nga votuesit në kutitë postare të hapura nga KQZ në 22 shtete. Ekipet e autorizuara të KQZ-së i tërheqin pakot, i vendosin në thasë, i mbyllin me lidhëse sigurie dhe më pas operatori ekonomik duhet të organizojë transportin drejt Kosovës brenda 72 orësh për dërgesat nga Evropa dhe 96 orësh nga vendet e tjera. Ky fluks i kthimit të votave është po aq i ndjeshëm sa dërgimi i tyre, sepse çdo vonesë rrezikon afatin ligjor të pranimit të pakove.
Përvoja e viteve të kaluara ka dëshmuar se proceset postare shpesh janë sfiduese, por anulimi i një kontrate të tillë vetëm tri javë para zgjedhjeve përbën një situatë tejet të pazakontë dhe potencialisht problematike për integritetin e procesit.
Mbetet të shihet nëse KQZ do të marrë hapa të menjëhershëm për ta zëvendësuar këtë procedurë, qoftë përmes një procedure tjetër emergjente, qoftë përmes ndonjë zgjidhjeje alternative. /Demokracia.com/











