Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt përfundimit, ndërsa kanë mbetur edhe rreth 400 vendvotime për t’u rinumëruar.
Sipas Elezit, nga fillimi i procesit të rinumërimit, më 13 janar 2026 në ora 18:00, e deri më 28 janar 2026 në ora 16:00, janë rinumëruar rreth 85 për qind e vendvotimeve, përkatësisht 2 mijë e 156 nga gjithsej 2 mijë e 557 vendvotime.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani rinumërimi ka përfunduar në 32 komuna, ndërsa kanë mbetur për t’u rinumëruar më pak se 401 vendvotime që i përkasin gjashtë komunave të tjera.
KQZ-ja ka theksuar se procesi i rinumërimit po zhvillohet në përputhje me procedurat ligjore dhe me transparencë të plotë, ndërsa pritet që rinumërimi të përmbyllet në ditët në vijim.










