Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet raportet e paaudituara të deklarimit financiar të fushatës zgjedhore të subjekteve politike për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat janë mbajtur më 12 tetor 2025.
Nga ky raport del se Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, ka shpenzuar 992 mijë euro për fushatën e zgjedhjeve lokale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Sipas raportit për periudhën 9 qershor – 9 nëntor 2025, VV ka realizuar të hyra totale prej 604 mijë e 13 euro e 40 centë , ndërsa shpenzimet e fushatës kanë arritur në 992 mijë e 562 euro e 74 centë.
Sipas këtij raporti pjesa më e madhe e të hyrave ka ardhur nga buxheti i shtetit, në vlerë prej 567,451.40 euro, ndërsa nga donacionet dhe kontributet në të holla janë deklaruar 36 mijë e 680 euro.
Po ashtu sipas raportit shpenzimet më të mëdha janë realizuar në kategorinë e reklamave, reprezentacionit dhe konferencave, me gjithsej 802 mijë e 265 euro e 49 centë. Në këtë përfshihen qiratë e hapësirave, ushqimi, reklamat në media dhe shpenzime të tjera promovuese.
Ndërkohë, shpenzimet e transportit kanë arritur në 118,468.75 euro, ndërsa për shpenzime të përgjithshme janë shpenzuar 56,676.01 euro. Pagat dhe kompensimet kapin vlerën 2,225 euro.
Në fund të periudhës raportuese, VV ka pasur 288,720.89 euro para dhe ekuivalentë të parasë, krahasuar me 731,554.10 euro në fillim të periudhës.
Ndërkohë, detyrimet afatshkurtra arrijnë në 388 mijë e 431 euro e 34 euro centë, kryesisht ndaj operatorëve privatë për shërbime reklamuese dhe qira.
Vetëvendosje ka pranuar gjithsej 36 mijë e 680 euro donacione dhe kontribute në të holla, kryesisht përmes arkës.
Ndër kontribuuesit individualë dhe subjektet juridike të deklaruara janë: Fatban Bunjaku, Kaltrina Naser Gruda, Arnis Halili, Driton Hyseni, Agon Batusha, Albi Rudi, Rudi Alb, Kledi Kabashi, Veton Shala, Laureta Taçaj, Drin Halilaj, Arianit Bytyqi, Granit Gegaj, Avni Dehari, Ahmet Gashi, Kristijan Rama, Sherif Sabit Godeni, Glauk Konjufca, si dhe disa herë përsëritëse nga i njëjti kontribuues.
Nga subjektet juridike, donacione kanë dhënë ANITA TEKS GROUP L.L.C., ZAM Group SHPK, DUO Market F&S SH.P.K., Mega Market INV SHPK, ndërsa shuma më e lartë e deklaruar për një donacion individual arrin deri në 5,000 euro.
KQZ ka bërë të ditur se publikimi i këtyre raporteve bëhet në zbatim të Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike, me qëllim rritjen e transparencës për shpenzimet dhe burimet e financimit të fushatave zgjedhore./Reporteri.net/










