KQZ njofton se ka përfunduar numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike, ndërsa në QNR ka nisur numërimi i 27,600 fletëvotimeve të aprovuara nga votimi përmes postës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se pasditen e së shtunës, rreth orës 16:00, është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, konkretisht nga 40 vendvotime të hapura në përfaqësitë diplomatike.
Sipas KQZ-së, votimi jashtë vendit është zhvilluar më 27 dhjetor 2025 në 29 përfaqësi diplomatike, të shtrira në 18 shtete të ndryshme. Nga gjithsej 19,187 qytetarë të regjistruar për këtë formë votimi, kanë votuar 16,165 persona, që përbën një pjesëmarrje prej 84.24 për qind.
Ndërkohë, gjatë ditës së shtunë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka nisur edhe numërimi i fletëvotimeve që i përkasin votimit përmes postës, të cilat deri më tani kanë mbërritur në Kosovë.
KQZ bën të ditur se ditë më parë, nga dy kutitë postare jashtë vendit, në Berlin dhe Bernë janë tërhequr mbi 28,500 pako me fletëvotime. Këto pako janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së.
Pas procesit të verifikimit, nga më shumë se 28,000 pako të pranuara, janë aprovuar 27,600, ndërsa mbi 950 janë refuzuar. Arsyeja kryesore për refuzimin e tyre ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit të votuesit brenda pakos me fletëvotim.
Sipas njoftimit zyrtar, në procesin e numërimit do të përfshihen gjithsej 27,600 zarfe të supozuara me fletëvotime nga votimi përmes postës.










