KQZ nis rinumërimin në disa vendvotime në Mitrovicë, Kamenicë dhe Podujevë

Të hënën rreth mesnatës është përmbyllur në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) procesi i numërimit të fletëvotimeve të ardhura nga jashtë Kosovës, të cilat janë dërguar përmes postës nga 22 shtete të ndryshme. Pas kësaj faze, ka nisur rinumërimi i pesë vendvotimeve me urdhër të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ndërsa gjatë ditës së sotme do të vazhdohet me numërimin e fletëvotimeve me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Kështu ka njoftuar për Telegrafin, Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Të hënën rreth mesnatës, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) është përmbyllur procesi i numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës. Këto fletëvotime i takojnë procesit të votimit jashtë Kosovës, i realizuar përmes postës nga 17 shtatori deri më 11 tetor 2025, të cilat janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë”, ka deklaruar Elezi.

Ai bëri të ditur se rinumërim të disa vendvotimeve do të ketë në tri komuna.

“Pas përfundimit të këtij procesi, në QNR ka filluar puna në rinumërimin e 5 vendvotimeve, për të cilat ka urdhëruar Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Patashtresa. Vendvotimet të cilat do të rinumërohen i takojnë komunave të ndryshme, si: Mitrovicë e Jugut (1110/01 dhe 1110/06); Kamenicë (1019/01 dhe 1020/01) dhe Podujevë (1807/02)”, theksoi ai.

Elezi shtoi se në vazhdim të aktiviteteve të planifikuara, gjatë ditës së sotme në QNR do të fillohet me numërimin e fletëvotimeve që i takojnë votimit me kusht dhe atyre nga votimi i personave me nevoja të veçanta.