KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar dërgimin e pakove zgjedhore me fletëvotime për qytetarët e Kosovës që janë regjistruar jashtë vendit dhe kanë zgjedhur të votojnë me postë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Sipas të dhënave të KQZ-së, këto pako do t’u dërgohen rreth 58 mijë votuesve të regjistruar për votim me postë. Ndërkohë, edhe 19,257 qytetarë të tjerë, të regjistruar për votim fizik jashtë Kosovës, do ta ushtrojnë të drejtën e votës më 27 dhjetor në përfaqësitë diplomatike ku janë regjistruar.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për EO se fletëvotimet janë prodhuar në Slloveni dhe kanë arritur në Kosovë më 12 dhjetor, raporton Klankosova.tv. Pas mbërritjes së tyre, shërbimi votues i KQZ-së ka përfunduar përgatitjen e pakove individuale, të cilat tani janë gati për t’u nisur në adresat e votuesve jashtë vendit.

“Fillimisht, pakot do të dërgohen në aeroport dhe gjatë ditës së nesërme do të fillojë shpërndarja e tyre në shtete të ndryshme, përmes shërbimeve postare, në adresat e votuesve. KQZ njofton se gjatë javës në vijim do të përmbyllet i gjithë procesi i dërgimit të pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës. Në çdo dërgesë postare, është vendosur nga një numër i veçantë gjurmimi dhe u është dërguar votuesve të regjistruar, të cilët mund të shohin vazhdimisht vendndodhjen e pakos me fletëvotim”, tha Elezi.