KQZ nis dërgimin e fletëvotimeve për votuesit jashtë Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisë nesër procesin e dërgimit të pakove me fletëvotime për qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe që janë regjistruar për të ushtruar të drejtën e votës përmes postës.

Sipas të dhënave, rreth 58 mijë votues kanë zgjedhur këtë formë votimi, ndërsa KQZ-ja do t’i dërgojë pakot përkatëse në adresat e deklaruara nga secili prej tyre.

Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka konfirmuar se dërgimi i fletëvotimeve do të realizohet përmes një operatori ekonomik.

“Gjatë ditës së nesërme (e diel, 14 dhjetor 2025, ora 10:45) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes operatorit ekonomik, do të nisë dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës”, tha ai.