KQZ ngec me numërimin e votave në Mitrovicë të Jugut

Derisa në 17 nga 18 komunat që ishin në balotazh ka përfunduar procesi i numërimit të votave, në Mitrovicë të Jugut ky proces ka ngecur.

Sipas rezultateve të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, shihet se kanë mbetur edhe dy vendvotime pa u procesuar.

Për këtë çështje ka folur sot në konferencë për media edhe kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, i cili nuk tregoi arsyen e kësaj ngecjeje në Mitrovicën e Jugut.

“Në Mitrovicën e Jugut, Faton Peci me 53,53%, Arian Tahiri 46,47%. Një informacion lidhur me Mitrovicën e Jugut, nuk janë futur ende edhe dy vendvotime, të cilat do të azhurnohen më vonë në platformë”, ka thënë Radoniqi, raporton Klankosova.tv.

Deri në ora 00:19 ende nuk është publikuar rezultati nga numërimi i të gjitha vendvotimeve.

Në bazë të shifrave të publikuara nga KQZ, deri më tani janë procesuar votat e 32,770 qytetarëve, apo 98,10%, ndërsa kanë mbetur edhe 1010 vota pa u numëruar.

Megjithatë, rezultati për sa i përket fituesit nuk pritet të ndryshojë pasi diferenca mes kandidatëve është 2314 vota. /Klankosova.tv

The post KQZ ngec me numërimin e votave në Mitrovicë të Jugut appeared first on Klan Kosova.