Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) njofton se më 7 shtator nis regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta për zgjedhjet lokale që mbahen më 12 tetor. Votimi për këta qytetarë do të realizohet përmes ekipeve mobile në secilën komunë të Republikës së Kosovës, transmeton KosovaPost.
Sipas KQZ-së, ky proces do të zhvillohet në bashkëpunim me institucionet relevante dhe do të mundësohet edhe përmes një platforme elektronike që do të jetë në dispozicion në fillim të regjistrimit.
Votuesit me nevoja të veçanta ndahen në tri kategori, secila me afate të veçanta për regjistrim.
“Votuesit që nuk mund të dalin nga shtëpia për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore apo çfarëdo tjetër, mund të regjistrohen nga 7 shtator deri më 7 tetor, përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftim.
Sipas KQZ-së, votuesit me lëvizje të kufizuar në institucione si spitalet, shtëpitë e pleqve, institucionet e shëndetit mendor apo qendrat e paraburgimit mund të regjistrohen nga 15 shtator deri më 2 tetor. Regjistrimi bëhet nga institucionet përkatëse, por edhe vetë qytetarët mund të aplikojnë në platformë.
“Votuesit në rrethana të veçanta, si ata në arrest shtëpiak apo me probleme sigurie, mund të regjistrohen nga 7 shtator deri më 7 tetor, nëpërmjet platformës së KQZ-së ose me ndihmën e komisioneve komunale”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Kjo e fundit siguron se do të ndërmerren të gjitha masat për të garantuar të drejtën e votës për çdo qytetar me nevoja të veçanta, në përputhje me standardet demokratike dhe kushtetuese.
The post KQZ: Në shtator nis regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta appeared first on Kosovapost.net.