KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve lokale, tregon dallimet nga ato parlamentare

Komisioni Qendrorë i Zgjedhjeve ka nis parapërgaditjet për zgjedhjet lokale, datën e të cilave po e presin ta vendos presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani pritet ta vendos datën e zgjedhjeve lokale gjatë muajit qershor. Kjo pas konsultimeve me subjektet politike, megjithatë ajo që dihet është se në bazë të ligjit, zgjedhjet lokale do të mbahen në muajin tetor të këtij viti.

Zgjedhjet do të bëhen për zgjedhjen e 38 kryetarëve të komunave dhe kuvendeve komunale. Ato do të jenë të tetat për kuvende komunale dhe të gjashtat për kryetarë të komunave.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi ka thënë për KosovaPress, se ky institucion është në proces parapërgatitor, që përfshin identifikimin e nevojave, planifikimin e buxhetit për zgjedhjet dhe shqyrtimin e rregulloreve zgjedhore.

“Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në proces parapërgatitor, që përfshin identifikimin e nevojave, planifikimin buxhetor dhe shqyrtimin apo vlerësimin e akteve nënligjore. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme vetëm pasi të shpallet data e zgjedhjeve, KQZ mund të fillojë me përgatitjet e përgjithshme për organizimin e procesit zgjedhor, respektivisht zbatimin e planit të aktiviteteve zgjedhore, të cilat ndërlidhen kryesisht me votuesit dhe subjektet politike”, ka thënë Elezi./Periskopi/