KQZ mundohet të sqarojë përfshirjen e Qeverisë së Kurtit në bartjen e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lëshuar një sqarim lidhur me dërgimin dhe tërheqjen e materialeve zgjedhore nga votimi jashtë Kosovës.

KQZ këtë sqarim e ka bërë pasi në media është raportuar lidhur me mënyrën se si po transportohen votat e diasporës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

 Ky është sqarimi i plotë i KQZ-së:

Pas shqetësimeve të ngritura në publik lidhur me transportimin e materialeve zgjedhore, përfshirë edhe pakot e fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e vlerëson të nevojshme të japë sqarimet e mëposhtme:

Tërheqja e dërgesave postare nga kutitë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe dërgimi i materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike, do të bëhet përmes rrugëve tokësore nga zyrtarët e KQZ-së, me ndihmën e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës. Kjo e fundit ka siguruar automjetet transportuese, të cilat do të drejtohen nga zyrtarët e saj.

Deri më tani, në disa raste, KQZ ka tërhequr pakot me fletëvotime, të cilat janë dërguar për të qëndruar përkohësisht në përfaqësi të ndryshme diplomatike, respektivisht në dhomat e tyre të sigurisë, ku vëzhgohen vazhdimisht nga kamerat. Këto tërheqje janë zhvilluar në një proces transparent, me njoftimin paraprak të vëzhguesve të subjekteve politike, të cilët nuk kanë evidentuar ndonjë vërejtje në protokollet e tërheqjes dhe në praninë e zyrtarëve të KQZ-së.

Gjithashtu, KQZ sqaron se sjellja e pakove me fletëvotime dhe materialeve të tjera zgjedhore në Republikën e Kosovës do të bëhet nën shoqërimin e vazhdueshëm të zyrtarëve të KQZ-së, me statusin e dërgesave diplomatike.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është siguruar që kjo mënyrë e transportit të jetë e sigurte, pa ndonjë problem dhe që të ruhet integriteti i procesit dhe materialeve zgjedhore. Ky lloj i transportit ka karakterin diplomatik, me elementet shoqëruese, siç janë notat verbale, çka e shton sigurinë e ngarkesave.

Ky vendim për këtë mënyrë transportimi është marrë pasi procedura tenderuese për shërbimet postare është në fazën e ankesave, gjë që e ka bërë të pamundur nënshkrimin e kontratës me operatorin ekonomik fitues.

KQZ sqaron se, përveç këtij ndryshimi, të gjitha procedurat e tjera për tërheqjen e dërgesave postare të KQZ-së dhe dërgimin e materialeve zgjedhore në përfaqësi diplomatike do të zhvillohen sipas planifikimeve të mëhershme të miratuara nga KQZ.

Mbi 15 mijë vota transportohen me kombibus nga Cyrihu në Prishtinë, ngritët alarmi për manipulim