Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur mbledhjen e radhës ku kanë miratuar akreditimin e vëzhguesve të subjekteve politike, organizatave dhe mediave për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.
Besnik Buzhala, Drejtor i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike tha se LVV ka dërguar për konfirmim 4179 vëzhgues, PDK me 1981 vëzhgues, LDK 1077 vëzhgues, AAK 776 vëzhgues, Lista Serbe 18 vëzhgues, transmeton KosovaPress.
“Sipas nenit 11 paragrafit numër 2, subjektet politike mund të paraqesin vëzhgues shtesë dhe të konfirmojnë të njëjtit, lidhje me këtë 8 subjektet politike që marrin pjesë në raundin e dytë kanë dorëzuar konfirmimin me vëzhgues shtesë, bëhet fjalë për subjektin politik LVV 4179 vëzhgues, PDK me 1981 vëzhgues, LDK 1077 vëzhgues, AAK 776 vëzhgues, Lista Serbe 18 vëzhgues… Lidhur me këtë zyra rekomandon të akreditohen vëzhguesit siç janë paraqitur në rekomandim”, tha ai.
Tutje, Buzhala njoftoi se për akreditim kanë aplikuar 32 media vendore dhe ndërkombëtare me 464 vëzhgues.
“Pika e radhës ka të bëjë me rekomandimin për akreditimin e mediave vendore dhe ndërkombëtare, gjithsej janë 32 të tilla me numrin total të vëzhguesve 464”, tha Buzhala.
Anëtari i KQZ-së, Sami Kurteshi tha se disa nga qytetarët që jetojnë në diasporë nuk kanë marrë zarfat e nevojshëm për votim.
“Po e shpreh një shqetësim që po e marrë përmes mesazheve, ka shumë persona sidomos në Suedi dhe në Norvegji që nuk e kanë marrë postën, unë nuk po di me u përgjigj e di që është një proces zingjiror dhe nuk e di se cila hallkë ka dështuar. Në sekretariat kanë thënë që ne i kemi dërguar në postë. Është një numër… së paku unë 4 mesazhe i kam që flasin për vete edhe për anëtarët e familjes, pra janë disa persona. Nëse ata nuk e marrin postën deri nesër pasnesër, ata nuk do të munden ta dorëzojnë dhe jo për fajin e tyre ata nuk mund të votojnë”, tha ai.
Shqetësimit të Kurteshit iu bashkangjit edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Alban Krasniqi i cili tha se duhet të shqyrëtohet mundësia e shtyerjes së dorëzimit të zarfave qoftë edhe për një ditë që t’u mundësohet qytetarëve e drejta e votës.
“I bashkangjitem shqetësimeve të kolegut, që janë shqetësime të qytetarëve dhe mendoj që departamenti përkatës duhet të vij me një raport për të parë nëse problemet janë shkak i organizimit tonë apo shërbyesve, ofruesve të shërbimeve që ne i kemi kontaktuar për këtë çështje. Në ato vende ku ka vonesa në dërgimin e zarfave të shikojmë edhe mundësinë për vazhdimin qoftë edhe për një ditë, sepse problemi është që tash futemi në pjesën e fundjavës dhe të shtunën dhe të dieleve postat nuk punojnë. Andaj kërkoj prej drejtorit, që të përgatitet një raport dhe të shihet se ku janë problemet sepse ne si institucion jemi të obliguar që shërbimet që ne i kemi ofruar nuk e kanë cënuar të drejtën e qytetarëve për të votuar”, tha fillimisht ai.
Tutje Krasniqi tha se votimi me asistencë është proces i mjegullt, sipas tij qytetarët me nevoja të veçanta që votojnë në qendra të votimit dhe jo me ekipe mobile duhet të paraqesin dokument që dëshmon paaftësinë e tyre për votim.
“Gjithashtu, dua të ndaj edhe një çështje tjetër që është votimi me asistencë, ndoshta edhe informimi jonë si institucion është shumë i mjegullt. Qytetarëve duhet t’u bëhet të qartë se çka nënkupton votimi me asistencë në vendvotim. Deri dje e kemi pasur afatin ku qytetarët të cilët janë me nevoja të veçanta dhe nuk mund të vijnë në vendvotim për të votuar kanë mund të votojnë në platformë dhe në bazë të atyre platformave pranohen për të votuar si persona me nevoja të veçanta dhe ekipet mobile shkojnë për të ofruar një shërbim të tillë. Nevoja e veçantë lidhet me pamundësinë e individit për të votuar për arsye më shumë fizike, është mirë që qytetarët ta dinë ta kenë të qartë se secili person që do të votojë ditën e diel, ajo e drejtë u ofrohet, ata që votojnë me asistencë duhet ta kenë të qartë që diten e zgjedhjeve duhet ta sjellin një dokument që vërteton paaftësin e tyre për të votuar dhe paaftësia nënkupton paaftësi fizike. Institucionet nuk e njohin aspektet e analfabetizimit, sepse institucionet tona shtetërore tash e sa vite organizojnë mësim plotësues ku secili qytetarë që konsiderohet që është analfabet dhe nuk di të shkruaj e ka mundësinë për të marrë mësimin e nevojshëm, këtu kemi të bëjmë me një tik dhe janë vetëm dy kandidatë. Çështja e analfabetizimit nuk do të konsiderohet jo vetëm në këto zgjedhje, por në as një palë zgjedhje tash e tutje sepse është keqpërdorur, askush nuk ka të drejtë të votojë në emër të dikujt tjetër”, tha Krasniqi.
Kujtojmë që raundi i dytë i zgjedhjeve lokale organizohet këtë të diel me 9 nëntor./KosovaPress.











