KQZ: Më 3 korrik fillon afati për përmirësimin e Listës Votuese

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha për kundërshtimin e pasaktësive në Listën Preliminare të Votuesve për Zgjedhjet Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, do të fillojë më 3 korrik dhe do të përfundojë më 31 gusht 2025.

Sipas KQZ-së, gjatë kësaj periudhe 60 ditore, çdo person me të drejtë vote që nuk figuron në Listën Votuese, është caktuar gabimisht në qendër tjetër të votimit apo ka të dhëna të tjera të pasakta, mund të kërkojë nga KQZ rishikimin e saj: I. përmes platformës elekronike: https://qv.kqz-ks.org/sq, ose II. duke u paraqitur në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën përkatëse.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe votuesi mund ta kundërshtojë pasaktësinë e Listës Preliminare të Votuese edhe për ndonjë emër të votuesit për të cilin pretendon se nuk duhet të figurojë në këtë listë, përfshirë edhe rastet kur në këtë listë figuron emri i ndonjë personi të vdekur. Në këtë rast, ankesa duhet të parashtrohet në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Për të kundërshtuar pasaktësitë për Listën Preliminare të Votuesve, votuesi duhet të indentifikohet me njërin nga tri dokumentet: Letërnjoftim i vlefshëm; pasportë e vlefshme; leje e vozitjes e vlefshme.

The post KQZ: Më 3 korrik fillon afati për përmirësimin e Listës Votuese appeared first on Kosovapost.net.