Partitë politike e kanë nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 12 tetorit, e cila do të përfundojë në ditën e hapjes së qendrave të votimit. Në Komisionin Qendror Zgjedhor kanë adresuar thirrje për zhvillimin e një fushate elektorale të qetë dhe demokratike. Teksa është vlerësuar se shumica e komunave do të përmbyllin procesin elektoral me balotazh.
Subjektet politike e kanë nisur të shtunën zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, që do të mbahen më 12 tetor.
Për shpalosjen e planeve të tyre për qeverisje lokale, subjektet politike do të kenë kohë nga e shtuna e deri në hapjen e qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve, pa pasur heshtje zgjedhore.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i ka numëruar disa rregulla që partitë e kandidatët duhet t’i ndjekin gjatë fushatës zgjedhore.
“Këto ndalesa lidhen kryesisht me mospengimin e fushatës së kundërshtarit politik dhe ndalimin e rreptë të kërcënimeve dhe dhunës gjatë procesit zgjedhor. Në përgjithësi, sipas ligjit, fushata duhet të zhvillohet në një atmosferë të qetë, të respektueshme, demokratike, pa gjuhë urrejtjeje, pa frikësime dhe e distancuar nga çdo formë dhune”, ka thënë Elezi.
Elezi ka bërë të ditur që KQZ-ja do të angazhojë monitorues në komuna të ndryshme për përcjelljen e takimeve, fushatave reklamuese dhe materialeve të tjera promovuese.
“Përmes Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike do të angazhohen monitorues në komuna të ndryshme të Kosovës, të cilët do të përgatisin raporte për aktivitetet e subjekteve politike. Këto raporte do të shfrytëzohen si burim informacioni për evidentimin dhe krahasimin me të dhënat e deklaruara në raportin financiar të fushatës”, ka deklaruar ai.
Në garën lokale janë të përfshira 93 subjekte politike, prej të cilave 33 janë parti, dy koalicione, 32 iniciativa qytetare dhe 27 kandidatë të pavarur, ndërsa procesi do të organizohet në 938 qendra votimi në 38 komuna.
E në shumicën prej tyre, hulumtuesi në Institutin Demokratik të Kosovës, Vullnet Bugaqku, thotë se nuk pret që gara të përmbyllet në raundin e parë të votimit.
“Nuk pres fitore të shumicës së komunave pa balotazh. Balotazhi domosdo do të ndodhë, madje edhe në ato komuna ku mbase do të ketë befasi, por edhe në komuna ku pritet pak a shumë që të mos ketë fare balotazh”, ka thënë Bugaqku.
Në këto zgjedhje lokale, të drejtë vote do të kenë 2 milionë e 69 mijë qytetarë, përfshirë diasporën.