KQZ-ja prezanton kamerat për sigurinë e procesit zgjedhor

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka blerë 2533 kamera që do të vendosen në vendvotime, më 9 shkurt. Këto kamera janë prezantuar sot për të garantuar një proces të sigurt dhe të integruar zgjedhor.

Vendosja e kamerave në vendvotime ka si qëllim sigurimin e materialeve zgjedhore dhe mbrojtjen e integritetit të procesit të votimit dhe numërimit. Ato do të vendosen në skajet e vendvotimeve, në mënyrë që të mos ndikojnë në fshehtësinë e votës. Kabina e votimit do të jetë jashtë fushës së regjistrimit të kamerave, duke siguruar që preferencat e votuesve të mbeten të paprekura.

Regjistrimet nga kamerat do të ruhet përkohësisht deri në shkatërrimin e materialeve zgjedhore, përveç atyre që regjistrojnë parregullësi, të cilat mund të përdoren për hetime nga autoritetet ligjzbatuese.

Në ditën e zgjedhjeve, KQZ-ja nuk do të monitorojë kamerat aktivisht, por do të mund të bëhet qasje në regjistrimet e videove vetëm me kërkesë të institucioneve ligjzbatuese dhe me vendim të tyre.