Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), në mbledhjen e radhës ka diskutuar për kërkesën për referendum të Kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.
Kastrati synonte t’i bëjë vendimmarrës direkt qytetarët e këtij qyteti.Kësisoj, ai kishte nisur një kërkesë në KQZ me çka i kërkon që t’i lejohet mbajtja e një referendumi.
Por, edhe përkundër kompetencave kushtetuese në organizimin e referendumit, mungesa e ligjit të veçantë për referendum, ia pamundëson KQZ-së organizimin e referendumit.
Prandaj, kërkesa e Kastratit është cilësuar si e pabazuar dhe nuk është miratuar.
Në përgjigjen e KQZ-së thuhet:
“Në bazë të nenit 139 të Kushtetutës së Kosovës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është organ i përhershëm që përgatit, mbikëqyr, drejton dhe verifikon të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me procesin e zgjedhjeve dhe referendumet, si dhe shpall rezultatet e tyre.Edhe përkundër kompetencave kushtetuese në organizimin e referendumit, mungesa e ligjit të veçantë për referendum, ia pamundëson KQZ-së organizimin e referendumit.Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe Ligji për Zgjedhjet Lokale nuk e përfshin në kornizën ligjore dhe institucionale referendumin si mekanizëm për deklarim për çfarëdo çështje lokale apo qendrore, duke përfshirë edhe çështjen e propozuar nga komuna e juaj.Prandaj, bazuar në arsyet e lartcekura, kërkesa e juaj është e pabazuar dhe nuk mund të miratohet.”