Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka emëruar 414 persona që do të angazhohen drejtpërdrejt në procesin e votimit që do të zhvillohet në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt 2025, një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë.
Ky votim, që organizohet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, do të organizohet në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por vendvotimet me stemën e Republikës së Kosovës dhe logon e KQZ-së, do të hapen edhe në Amerikë, Kanada dhe Australi.
Ky lajm është bërë i ditur për Ekonomia Online nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili ka treguar se në numrin e përgjithshëm të anëtarëve të emëruar përfshihen edhe 184 anëtarët rezervë.
Sipas KQZ-së, përbërja e Këshillave të Vendvotimit në përfaqësi diplomatike është një çështje e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, pra që duhet të reflektojë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend, që iu kanë nënshtruar pragut zgjedhor, që janë certifikuar për të garuar në zgjedhje dhe një zyrtar nga përfaqësia diplomatike.
“Sipas vendimit të KQZ-së, Këshillat e Vendvotimeve në një qendër votimi në përfaqësi diplomatike do të përbëhen nga 5 anëtarë, 4 prej të cilëve përfaqësojnë subjektet politike parlamentare që i janë nënshtruar pragut zgjedhor dhe 1 tjetër është përfaqësues nga përfaqësia diplomatike. Pra, në përgjithësi, numri i anëtarëve të Këshillave të Vendvotimit që do të angazhohen në ditën e votimi më 8 shkurt, është 230 anëtarë, prej të cilëve 184 përfaqësojnë subjektet politike dhe 46 të tjerë përfaqësitë diplomatike. Ndërkaq, numri i anëtarëve rezervë është 184”, tha Elezi për EO.
Elezi ka treguar se për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës do të organizohet votimi në përfaqësi diplomatike të vendosura në 19 shtete të ndryshme të botës, kryesisht në Evropë, por edhe në ShBA, Kanada dhe Australinë e largët.