Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar se nga ana teknike është i gatshëm për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 28 dhjetorit, por se është në pritje të përfundimit të afatit për ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Reporteri.net ka deklaruar se ashtu siç e parasheh Ligji, shpallja e rezultateve mund të bëhet pas ankesave që mund të drejtohen në PZAP.
Numërimi i fletëvotimeve të fundit ka përfunduar sot në orët e para të mëngjesit, e afati për ankesa është brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar.
“Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, nga ana teknike KQZ është e gatshme për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Megjithatë, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesa në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka deklaruar Elezi.
Numërimi i votave ka përfunduar 12 ditë pas ditës së zgjedhjeve ,e që KQZ vlerëson se përbën kohë shumë të shpejtë dhe efikase të përmbylljes së procesit të numërimit.
Sipas rezultateve të përmbledhura, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 51.11 për qind, apo 486,994 vota. Në këtë mënyrë, Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës doli e dyta me 22 ulëse. Ajo mori 20.19 për qind të votave, duke siguruar 22 ulëse në Kuvend. Lidhja Demokratike e Kosovës ka rënë në 15 ulëse nga 20 sa kishte. Ajo mori 13.23 për qind të votave.
Në Kuvend gjashtë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 5.5 për qind.
Lista Serbe me 9 ulëse dhe Za Zlobodu Pravdu i Opstanak me një ulëse përmbushin normën prej 10 ulëseve të rezervuara për komunitetin serb.
10 ulëset për komunitetet tjera janë siguruar nga Kosova Demokratik Turk Partisi me dy ulëse dhe Vakat, Nova Demokratska Stranka, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, PSA, Jedinstvena Goranska Partija dhe Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës me nga një ulëse./










