KQZ: Është përmbyllur numërimi i votave nga vendvotimet për kryetarë – Së shpejti do të dalin edhe ato për asamblistë

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se të dielën në mbrëmje është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale.

Ai ka deklaruar edhe se, rezultateve të cilave po i referohen mediat s’janë nga procesi i cili ka filluar dje ( e hënë 13 tetor) në Qendrat Komunale të Numërimit, por janë rezultatet preliminare nga vendvotimet.

Ai po ashtu ka thënë edhe se, shpejti në platformën e rezultateve, do të shfaqet një hapësirë e re, ku do të prezantohen Rezultatet nga QKN-të, e cila do të përfshijë edhe  votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Postimi:

Një sqarim…

Të dielën në mbrëmje, në 2,571 vendvotime të rregullta është përmbyllur numërimi i votave të kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe votave të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale. Nga ky numërim, rezultatet preliminare janë prezantuar në platformën e rezultateve, të dielën në mbrëmje. Në ndërkohë, mund të ndodh që të bëhet ndonjë përditësim nga ndonjë vendvotim ku kanë munguar të dhënat.

Rezultateve të cilave po i referohen mediat aktualisht, nuk janë nga procesi i cili ka filluar të hënën (13 tetor) në Qendrat Komunale të Numërimit, por janë rezultatet preliminare nga vendvotimet.

Së shpejti, në platformën e rezultateve, do të shfaqet një hapësirë e re, ku do të prezantohen Rezultatet nga QKN-të, e cila do të përfshijë:

– rezultatet për Kryetarë të Komunave,

– rezultatet e subjekteve politike për Kuvendet Komunale, dhe

– votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.

Siç e kemi sqaruar, në disa raste deri më tani, përveç numërimit të votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale, në QKN, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, bëhet edhe verifikimi i rezultateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve.