KQZ ka vendosur të shtypë mbi 3.6 milionë fletëvotime për zgjedhjet lokale, rreth 13% më pak se numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar numrin e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave të votuesve që do të shtypen për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Sipas vendimit, për raundin e parë të garës për kryetarë komunash do të shtypen 1,800,410 fletëvotime, ndërsa po aq edhe për zgjedhjet për Kuvendet Komunale. Ky numër përfshin fletëvotimet për vendvotimet e rregullta, për votimin me kusht, për personat me nevoja të veçanta, si dhe rezervat dhe votimin me postë.
Në total, KQZ ka paraparë që të shtypen 268,688 fletëvotime më pak sesa numri i përgjithshëm i qytetarëve me të drejtë vote. Kjo shifër përfaqëson një ulje prej rreth 13%, krahasuar me listën e certifikuar të votuesve që numëron 2,069,098 qytetarë.
Sipas të dhënave zyrtare, 2,025,105 votues janë të regjistruar për të votuar brenda Kosovës, ndërsa 43,993 qytetarë kanë të drejtë të votojnë me postë nga jashtë vendit.
Procesi i 12 tetorit do të zhvillohet në 938 qendra të votimit me gjithsej 2,625 vendvotime. Prej tyre, 910 qendra do të shërbejnë për votimin e rregullt me 2,571 vendvotime, ndërsa 38 qendra do të jenë të dedikuara për votimin me kusht, me gjithsej 54 vendvotime.