Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar vendimet e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me ankesat e paraqitura në këtë institucion në rezultatet përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja më 7 nëntor.
Kjo është bërë e ditur sot nga Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së në një konferencë për media.
Ai tha se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë në përputhje me vendimet që e obligojnë këtë institucion.
“Këtu kam parasysh dy vendimet që kanë të bëjnë me përjashtim nga rezultati të një pjesë të fletëvotimeve dhe për rinumërimin e 1472 vendvotimeve. Në këto vendime ka këshillë juridike që lejon ankesën kundër këtyre vendimeve në Gjykatën Supreme.
Prandaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i obliguar të respektojë këtë afat ligjor para se të procedojë më tutje. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të veprojë ashtu siç ka bërë deri më tani, pra në përputhje me vendimet që e obligojnë KQZ-në”, tha Elezi.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa – PZAP-i, ka vendosur për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.