KQZ certifikon rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendet Komunale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim për certifikimin e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për 38 Kuvendet Komunale, të cilat u mbajtën më 17 tetor 2021.

Në këtë mënyrë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmbylli procesin e Zgjedhjeve për Kuvende Komunale.

Këtu mund t’i gjeni rezultatet e kandidatëve të cilët kanë fituar votat e mjaftueshme për tu bërë asamblistë.

Në raundin e parë të zgjedhjeve lokale 17 komuna kanë zgjedhur kryetarin, kurse 21 tjera kishin shkuar në balotazh më 14 nëntor.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, në raundin e dytë të zgjedhjeve, LVV ka fituar në katër komuna, aq sa kanë fituar edhe PDK e LDK, derisa AAK ka fituar në tri komuna.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve të drejtë vote kishin 1 milion e 260 mijë e 571 qytetarë.

Numri i qendrave të votimit ishte 575 kurse vendvotime ishin 1,638.