Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se 80.1 për qind e pjesëtarëve të diasporës kanë votuar për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka konfirmuar se në përfaqësitë diplomatike kanë votuar 15,352 qytetarë, ndërsa përmes postës kanë votuar 68,712.
Ai ka theksuar se kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit të votave që janë pranuar me postë.
Në total, 104,924 qytetarë nga diaspora kanë pasur të drejtë vote në këto zgjedhje, që është hera e parë që votuesit e jashtëm janë mundësuar të votojnë në 19 përfaqësi diplomatike të Kosovës nëpër botë.
“Sipas të dhënave preliminare, numri i votave në përfaqësitë diplomatike në të cilat u zhvillua votimi më 8 shkurt 2025, është 15,352 nga 20,324. Ndërkaq, lidhur me pjesën tjetër të votimit nga jashtë Kosovës, votimin përmes postës, në kutitë postare të KQZ-së në shtete të ndryshme janë pranuar 68,712 pako me fletëvotime. Në përgjithësi, nga votimi në përfaqësi diplomatike dhe nga pakot e pranuara, përqindja e pjesëmarrjes në votimin jashtë Kosovës është 80.10% (kjo përqindje mund të ndryshojë pas procesit të vlerësimit). Në përgjithësi, numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për votimin jashtë Kosovës ishte 104,924 votues”, ka thënë ai.
Numërimi i votave të diasporës pritet të nisë pas disa ditësh në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve.
Për sa i përket numërimit të votave të brendshme, sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 40% të votave, duke e udhëhequr me shumicën, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me rreth 22%, Lidhja Demokratike e Kosovës me rreth 17%, dhe koalicioni AAK-Nisma me rreth 7% të votave.