KQZ: 143 nga 187 kuti nga votat me postë u numëruan, rezultat dalin online brenda një kohe të shpejtë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që u takojnë votuesve nga komuna të ndryshme që kanë votuar me postë.

KQZ tha se aktualisht “në proces të numërimit janë fletëvotime të ndara në kuti të votimit nga komunat Vushtrri, Junik, Ferizaj, Prizren, Shtime dhe Suharekë”.

“Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve është duke vazhduar numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë jashtë Kosovës. Deri të hënën, më 3 mars, në orën 16:00, në këtë qendër janë numëruar 143 nga 187 kuti të votimit që i takojnë votuesve nga komuna të ndryshme”, thuhet në njoftim.

Procesi i numërimit është “transparent”, thotë KQZ, dhe “po zhvillohet në prezencë të vëzhguesve të akredituar”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thotë se rezultatet do të shfaqen në platformën online “brenda një kohe të shpejtë”.

“Pas përfundimit të numërimit, rezultatet për subjektet politike dhe kandidatët, të ndarë sipas komunave, të cilave u takojnë votuesit e regjistruar, brenda një kohe të shpejtë do të shfaqen në platformën https://rezultatet2025.net“.