Të gjithë ata që janë regjistruar me sukses si votues jashtë Kosovës do të largohen nga lista e votuesve në Kosovë dhe nuk kanë të drejtë vote.
Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke përpiluar listën e votuesve jashtë Kosovës, listë kjo e cila përmban të dhënat e atyre votuesve.
Të gjithë ata që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës emrat e tyre do largohen nga listat e votuesve e cila do shpërndahet me 14 shkurt në vendvotime nëpër Kosovë.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të përpilojë listën e votuesve jashtë Kosovës, e cila përmban të dhënat e atyre votuesve që me sukses janë regjistruar si votues jashtë Kosovës dhe duhet që këta emra t’i largojë nga lista votuese, e cila shpërndahet në vendvotime nëpër Kosovë, në ditën e zgjedhjeve më 14 shkurt”, tha Elezi për Kosova Press.
Elezi thekson se në një afat shumë të shkurtër do të dalin edhe me raportin e detajuar për votuesit jashtë vendit.
Sa i përket periudhës së votimit përmes postës, Elezi bën të ditur se do të realizohet në një afat kohor prej 10 ditësh, gjegjësisht nga data 2 shkurt deri më 12 shkurt.