KPK-ja me udhëheqësin e ri të afërt me VV-në sulmon Paparacin dhe Vehbi Kajtazin

Këshilli Prokurorial i Kosovës i udhëhequr nga sot nga Arian Gashi, lidhjet e të cilit me Vetëvendosjen i ka vënë në dritë Papaparaci, ka sulmuar këtë medium dhe drejtorin e saj, Vehbi Kajtazi.

Në një reagim, KPK-ja ia ka huqur që në fillim kur ka shkruar se Paparaci ka shkruar artikull me titull: “Nga sot, Prokuroria është e kapur nga Albin Kurti”. Në fakt, ky është qëndrim i gazetarit Vehbi Kajtazi, të cilin e ka cituar Paparaci.

Në reagim, KPK-ja ka sulmuar gazetarin Kajtazi, duke thënë se duhet të tregojë se në interes të kujt ka vepruar.

“Rikujtojmë opinionin publik se gjuha e pabazuar e këtij artikulli gazetaresk në fakte nuk është e re, por përbën vazhdimësi të një narrative të promovuar më herët nga Paparaci Media sh.p.k., e cila drejtohet nga z. Vehbi Kajtazi. Pikërisht ky i fundit kishte kontestuar ligjshmërinë e Rregullores së Këshillit për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë të Këshillit. Megjithatë, ky pretendim është shqyrtuar nga institucionet kompetente dhe është rrëzuar përfundimisht”, thuhet në këtë reagim.

Me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, P.A. nr. 35/2025, padia është refuzuar si e pabazuar, duke konfirmuar kështu ligjshmërinë e plotë të rregullores dhe të procedurave të ndjekura nga Këshilli.

“Në këtë kontekst, vazhdimi i përdorimit të një gjuhe të tillë të pabazuar në fakte vetëm sa dëshmon përpjekjen për të krijuar perceptime të rreme dhe për të ushtruar presion të pajustifikuar mbi institucionet e drejtësisë”, pretendon KPK-ja.

“Gazetari Kajtazi duhet t’i sqarojë opinionit publik se në interes të kujt po vepron dhe mbi çfarë baze po vlerëson punën e prokurorit të shtetit, Arian Gashi, i cili ushtron detyrën e prokurorit për shumë vite në sistemin prokurorial me profesionalizëm e integritet të lartë”, ka sulmuar KPK-ja gazetarin Kajtazi.

Sipas KPK-së, në një shtet demokratik dhe në një sistem drejtësie funksional, kritika është e mirëseardhur kur ajo mbështetet në fakte dhe argumente juridike.

“Mirëpo, shpifjet dhe pretendimet e pabazuara, të cilat synojnë krijimin e një perceptimi të gabuar në opinionin publik, dëmtojnë debatin publik dhe cenojnë besimin në institucionet e drejtësisë. Andaj, i bëjmë thirrje opinionit publik që të mos bjerë pre e gjuhës joargumentuese dhe pretendimeve të pabazuara në fakte të përdorura nga z. Kajtazi”, thuhej veç të tjerash.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të mbajtur të premten, Gashi u zgjodh kryesues i KPK me katër vota pro.

Në garë për pozitën e kryesuesit ishte edhe prokurori special, Milot Krasniqi.

Përpos zgjedhjes së kryesuesit të Këshillit, në mbledhjen e sotme pritet të zgjidhet edhe zëvendëskryesuesi. Për këtë pozitë kandidati i vetëm është Dardan Vuniqi.

Gashi ishte betuar si anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës në janar të vitit 2023, ndërsa emri i tij kishte nisur të përflitet më së shumti gjatë përplasjeve që ndodhën mes dy grupeve në KPK në muajt që lamë pas.

Gashi së bashku me tre anëtarë tjerë të KPK-së kishin dalë kundër përbërjes së vjetër të Këshillit.

Emri i tij ishte lakuar edhe për ushtrim të ndikimit në procesin e fundit të përzgjedhjes së anëtares së re të KPK-së, Elza Bajrami-Kastrati.

Gashi dyshohej se kishte ushtruar ndikim te prokurorët e prokurorive themelore që të votojnë për një kandidate të caktuar në garën për zgjedhjen e një anëtareje të Këshillit Prokurorial, teksa rasti ishte adresuar nga kryesuesi i atëhershëm Ardian Hajdari.

Në ekspozenë e tij për zgjedhjen si kryesues i KPK-së, Gashi tha se me përbërjen e re të Këshillit do të mundohet që të ndryshojë politikat e vjetra duke ofruar transparencë dhe llogaridhënie për publikun për punët brenda Këshillit.