KPK dhe ZPSH e inkurajojnë Prokurorinë Speciale t’i “zbatojë përgjegjësitë ligjore” pasi Kryeministri në detyrë s’shkoi për dëshmi

Këshilli Prokurorial dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit i kanë dhënë mbështetje sot Prokurorisë Speciale pas mosparaqitjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në Prokurorinë Speciale me urdhër të gjykatës.

KPK dhe Prokurori i Shtetit thanë se “pa marrë parasysh përpjekjet për degradimin e organeve kushtetuese nga ana e Kryeministrit Kurti”, inkurajojnë dhe mbështesin fuqishëm Prokurorinë Speciale për realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore të saj, siç janë hetimi, ndjekja dhe ndriçimi i secilit rast penal që bie në kompetencë të saj, me qëllim të ngritjes së moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit në vendin tonë.

Pas deklaratave të Kurtit nga Gjilani që goditi Prokurorinë, duke thënë se po e keqpërdorin lirinë për ta luftuar Qeverinë, KPK dhe ZKPSH tha se “rikujtojnë se zbatimi i ligjit nuk mund të keqinterpretohet sipas shijeve, interesave dhe nevojave ditore të Kryeministrit në detyrë, duke dhënë deklarata jashtë parimeve bazë të sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”.

Sipas KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit, këto deklarime përbëjnë “vetëm pikëpamje dhe botëkuptime personale që ka ai për sundimin e ligjit, sepse veprimet për zbatimin e ligjit janë detyrim, jo vetëm për sistemin prokurorial, por edhe Kryeministrin, Qeverinë, por edhe për cilindo institucion tjetër dhe qytetar të vendit”.“KPK dhe ZKPSH, potencojnë se deklaratat e dhëna në vazhdimësi nga Kryeministri Kurti e dëmtojnë seriozisht funksionimin e institucioneve demokratike dhe kanë për qëllim minimin e angazhimit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.