Koundé firmos rinovimin deri më 2030: Qielli është kufiri për mua, e lehtë ta gjenim marrëveshjen

Jules Koundé ka nënshkruar zyrtarisht kontratën e re që e lidh me Barcelonën deri në vitin 2030. Mbrojtësi francez, që do të mbushë 27 vjeç më 12 nëntor, kishte kontratë deri më 2027, por të premten e kaluar arriti marrëveshjen për ta zgjatur atë, pas transferimit nga Sevilla në korrik 2022 për 50 milionë euro, plus 10 milionë bonuse.

I veshur me kostum dhe kravatë, Koundé festoi rinovimin me presidentin Joan Laporta, zv.presidentin Rafa Yuste dhe drejtorin sportiv Deco: “Jam shumë i lumtur që rinovova. Ishte e thjeshtë. Ndihem shumë mirë këtu, për të dyja palët ishte e lehtë ta gjenim marrëveshjen”.

Për objektivat, u shpreh ambicioz: “Qielli është kufiri, siç themi në Francë. Ky është objektivi im. Jemi me fat që luajmë në një klub që garon për çdo trofe. Do të luajmë për më shumë, për të fituar edhe më shumë se sezonin e kaluar. Është kënaqësi të kem luajtur kaq shumë ndeshje me Barcelonën. Shpresoj t’ia kaloj Abidal si francezi me më shumë paraqitje me këtë fanellë”.

Ndër kujtimet më të bukura të sezonit të kaluar, përmendi “derbin ndaj Espanyol, ku fituam titullin e La Liga-s” dhe finalen e Kupës së Mbretit kundër Real Madridit, ku shënoi golin në minutën e 116-të: “Ishte një moment shumë i veçantë për mua”.

Në fund pati një mesazh për tifozët: “Faleminderit ‘culés’, gjithmonë kam ndjerë mbështetjen dhe dashurinë tuaj, sa herë që ec nëpër Barcelonë. E shijoj dhe e vlerësoj. Shpresoj t’ju japim edhe më shumë gëzime”.

The post Koundé firmos rinovimin deri më 2030: Qielli është kufiri për mua, e lehtë ta gjenim marrëveshjen appeared first on Telesport.