Shkruan: Adri Nurellari
Zakonisht, kur kritikohet qeverisja Kurti, fokusi vendoset te dëmet aktuale të prekshme, pra vonesat, gabimet, çmimet e rritura, mungesa e rezultateve konkrete. Por rrallëherë përmendet kostoja oportune e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë së qeverisë së tij, d.m.th. çfarë do të ishte realizuar po të kishte pasur vullnet, përgjegjësi, aftësi dhe vizion. Thënë ndryshe, jo vetëm korrupsioni e gabimet e tjera, por edhe mosveprimi i qeverisë po e dëmton rëndë Kosovën.”
Në pesëvjeçarin e qeverisjes Kurti llogaritet se janë të paktën 1.5 miliardë euro nga fondet e planifikuara për investime kapitale të cilat nuk janë shpenzuar, duke pasur një kosto të jashtëzakonshme oportune për ekonominë. Këto nuk janë para që “u kursyen”, janë para që janë marrë nga qytetarët, por që kurrë nuk u kthyen as në rrugë, as në shkolla, as në fabrika, as në mirëqenie. Ato para do të kishin mundësuar një sërë projektesh madhore, me ndikim afatgjatë në zhvillimin ekonomik, social dhe mjedisor të vendit, ose të paktën të mos ishin marrë fare prej taksapaguesve dhe të kishin vazhduar të qarkullonin në ekonomi.
Një ndër shembujt më kuptimplotë të kostos së jashtëzakonshme të keqqeverisjes Kurti është sektori i ujit. Dihet që Kosova është një ndër territoret më të varfra në ujë në Evropë, e prandaj që nga vitet ’60 janë planifikuar të ndërtohen 21 ujëmbledhës të rinj në zona të ndryshme të Kosovës, të cilët sipas Strategjisë Shtetërore të Ujërave në Kosovë 2017–2036 do të kushtonin rreth 676 milionë euro. Pra, do të mjaftonin dy vjet e pak, nga fondet suficit të qeverisë Kurti, për të paguar adresimin e njërës nga nevojat më të mëdha të vendit, por edhe sfidat më të mëdha që ka mbarë njerëzimi sot: furnizimi i bollshëm dhe i qëndrueshëm me ujë.
Qeveria Kurti jo vetëm që nuk i ka ndërtuar ujëmbledhësit, por një pjesë nga fondet që tepronin nga moszbatimi i investimeve kapitale i kanë shpërndarë si lëmoshë apo sadaka, për të blerë pëlqimin e votuesve me taksat që ata vetë kanë paguar. Nëse do të ishin kanalizuar ato para që tepruan në këto projekte ujëmbledhësash, Kosova sot do të kishte dyfishuar sasinë e ujit të akumuluar (prej rreth 559.4 milion m³ nga 5 akumulacionet ekzistuese, kapaciteti total kombëtar i akumulimit të ujit do të arrinte në afërsisht 1.19 miliardë m³), duke mbuluar në mënyrë të qëndrueshme nevojat për ujë të pijshëm dhe industrial në gjithë vendin.
Po ashtu, do të trefishohej sipërfaqja e tokave të ujitura, duke i dhënë bujqësisë kosovare një impuls që s’e ka njohur prej dekadash. Do të sigurohej ujë i bollshëm për industrinë, duke përforcuar zinxhirin e prodhimit dhe rritur ekonominë e vendit. Do të mundësohej prodhim energjie të pastër elektrike dhe poashtu, do të krijohej një mburojë e qëndrueshme kundër përmbytjeve të përvitshme që dëmtojnë njerëz, ekonomi e natyrë. Ky investim do të ndihmonte në zbutjen e fenomeneve klimatike ekstreme dhe do të hapte horizonte të reja për turizmin natyror dhe peshkimin.
Nga njëra anë, liqenet e reja artificiale do mund të shndërroheshin në atraksione natyrore për agroturizëm, kampingje, sporte ujore, ecje malore dhe turizëm familjar rural. Nga ana tjetër, akumulacionet e reja do ofronin mundësi për peshkimin rekreativ dhe atë ekonomik, duke siguruar ardhura të qëndrueshme për komunitetet lokale, nëpërmjet mundësive të reja për ngritjen e fermave të peshkut, peshkimit sportiv apo restoranteve buzë liqeneve me produktet e freskëta të liqenit.
Vetë ndërtimi i akumulacioneve do të kishte gjeneruar një efekt zinxhir në ekonomi, duke krijuar mijëra vende pune dhe nxitur aktivitet në sektorin e ndërtimit, në industrinë e materialeve, transportit dhe shërbimeve të lidhura.
Së fundmi, por jo nga rëndësia, dyfishimi i kapaciteteve të akumulimit të ujit nuk është vetëm çështje bujqësie e mirëqenieje – është edhe çështje sigurie kombëtare. Ai krijon burime alternative për ftohjen dhe funksionimin e termocentraleve me qymyr, duke ulur varësinë jetike që kemi sot nga Ujmani. Çka do të thotë se çdo metër kub ujë më shumë i akumuluar është një hap më shumë drejt sovranitetit energjetik të Kosovës.
Prandaj, sa herë që të shikoni çmimet e shtrenjta të ushqimit, mbajeni mend: një nga arsyet është mungesa e mbështetjes së bujqësisë me ujitje. Sa herë që shihni fshatrat e Kosovës të braktisen, mbajeni mend: fermerët pa ujë nuk kanë prodhim të leverdisshëm për të jetuar. Kur të paguani faturën e rrymës, mos harroni: Kosova ende nuk e ka shfrytëzuar potencialin e vet hidroenergjetik. Dhe nëse ndodh ndonjë përmbytje si ajo në Drenicë, mos u mashtroni me arsyetime: faji është mungesa e ujëmbledhësve dhe investimeve në infrastrukturën ujore që do duhej të ishte ndërtuar.
Sepse në fund të fundit, qeverisja nuk matet vetëm me atë që ndodh, por edhe me gjithçka që nuk ndodhi për shkak të mungesës së vizionit e përgjegjësisë. Prandaj Kosova po paguan sot jo vetëm faturën e gabimeve, por edhe boshllëkun e mundësive të humbura. Megjithatë sot nuk ka më vend për të vajtuar mbi mundësitë e humbura dhe kohën e shkuar dëm. Tani është koha për t’i dhënë fund shpërdorimit apo abuzimit electoral me fondet publike dhe për të investuar aty ku ka më shumë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve.
Pra, sa më shpejt të ndërtohen rezervuarët e ujit për të ringjallur bujqësinë, gjë që jo vetëm do të frenojë braktisjen e zonave rurale, por edhe do të sigurojë ushqime më të mira, të freskëta e të lira për tryezat e qytetarëve të Kosovës. Këto investime në infrastrukturën ujore do të siguronin gjithashtu ujë të pijshëm pa ndërprerje për familjet si dhe ujë të mjaftueshëm për industrinë. Për më tepër, do të mundësonin edhe shtimin e prodhimit të energjisë së rinovueshme, si dhe uljen e varësisë strategjike të Kosovës nga Ujmani.