Kostoja ndërtimore më 2024 u rrit për 4.4 për qind

Kostoja për ndërtime është rritur për më se 4 për qind gjatë vitit të shkuar, krahasuar me një vit më parë. Njohës të fushës së ndërtimtarisë kanë paralajmëruar se trendi i rritjes do të vazhdojë edhe sivjet. E ekonomistët e kanë ndërlidhur çmimin e papërballueshëm të banimit, me numrin e lartë të kredive të marra nga qytetarët.

Për 4.4 për qind është rritur kostoja e përgjithshme për ndërtime në tremujorin e tretë të vitit 2024, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kanë treguar të dhënat e fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave.

E në këtë rritje, sipas ASK-së, ka kontribuuar ngritja e çmimeve.

“Rritje kishte transporti (2.4%), pagat (0.9%), materialet (0.5%), kostot e tjera (0.4%) dhe energjia (0.1%), ndërsa zbritje kishte te makineritë (-0.2%)”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Naser Kabashi, inxhinier i ndërtimtarisë, thotë se krahas shtrenjtimit të materialeve ndërtimore, ndikim në këtë trend ka edhe mungesa e fuqisë punëtore.

“Njëri nga faktet bazike është fuqia punëtore. Rritja e kërkesave apo rritja e nivelit të punëtorëve ose pagave, është njëri nga faktorët që po ndikon edhe në rritjen e çmimit, për arsye se fuqia punëtore është në zvogëlim dhe në një mënyrë ka ngecje në këtë drejtim”, ka thënë Kabashi.

E njohësi i ekonomisë, Fidan Qerimi, paralajmëron se trendi i rritjes së çmimeve do të vazhdojë edhe më 2025.

“Mendoj se ky trend do të shkojë edhe më tutje, sepse në vazhdimësi kemi kërkesë për mundësi banimi, sepse familjet tona janë kryesisht të mëdha… Duke pasur parasysh këto dy anë, rritjen e kostos së ndërtimit dhe kërkesat e larta për banesa, do të ketë rritje në vazhdim”, është shprehur Qerimi.

E koston për banesa, Qerimi e kualifikon vështirë të përballueshme për qytetarët.

“Qytetarët rezidentë nuk është se mund të financojnë një banesë me të ardhurat e tyre, e detyrohen të hyjnë nëpër kredi. Raporti i Bankës Qendrore ka një rritje të jashtëzakonshme të kredive që janë marrë prej kosovarëve dhe mendoj se një pjesë e madhe e këtyre kredive shkojnë në blerjen e banesave”, ka shtuar ai.

KOHA ka raportuar më herët për mungesën e fuqisë punëtore në këtë sektor, për çka në kompani ndërtuese patën thënë se janë detyruar të rrisin koston për ndërtim.