Shtrenjtimi i produkteve ushqimore bazë ka hyrë që prej një viti në një trajektore të vazhdueshme të rritjes. Në treg, qytetarët sivjet janë detyruar që të paguajnë deri në 90 për qind më shtrenjtë për 30 copë vezë, krahasuar me një vit më parë. Rritje dyshifrore çmimi është evidentuar edhe te vaji, mishi i pulës dhe ai i gjedhit. E të përballur me këtë ritëm të ngritjes së çmimeve, qytetarët kanë shprehur ankesa se e kanë të vështirë që ta përballojnë muaji.
Çmimi i një paketimi me 30 copë vezë, brenda një viti është rritur për rreth 90 për qind të vlerës.
Derisa në tetorin e vitit të shkuar ky produkt mund të blihej për 2.88 euro, në tetorin e sivjetmë, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave (ASK), është tregtuar me çmim mesatar prej 3.82 euro. Por ndryshe nga se paraqitet në të dhënat e ASK-së, KOHA ka gjetur se çmimi i një paketimi vezë në markete ka shkuar në 5. 45 euro gjatë këtij nëntori.
Mbështetur në të dhënat e ASK-së dhe ato në terren, rritje çmimesh brenda një viti ka pasur edhe në produkte të tjera ushqimore. Një litër vaj, që në tetor të 2024-s ka kushtuar 1.47 euro, në tetorin e sivjetmë, sipas ASK-së, është shitur për 1.66 euro. E bazuar në çmimet që i konsultoi KOHA, në nëntor ky produkt është shitur nëpër markete me çmim prej 1.69 euro deri në 1.95 euro.
Shtrenjtim është evidentuar edhe në çmimin e mishit të pulës. Nga 4.08 centë sa ka qenë më 2024, të dhënat e Agjencisë së Statistikave kanë treguar se ky produkt në tetorin e sivjetmë është shtrenjtuar në 4.64 euro. E në nëntor, nëpër markete është shitur me çmim 5.35 euro.
Dallimet në çmimet të cilat i ka prezantuar në të dhënat e saj krahasuar me ato në markete, në ASK i kanë arsyetuar me kalkulimin e mesatares në treg.
“Matja e çmimeve bëhet në bazë të një metodologjie të standardizuar, ku përfshihen të dhëna nga pika të ndryshme shitjeje në të gjitha rajonet e Kosovës. Prandaj, mund të ketë dallime ndërmjet çmimeve të raportuara nga ASK-ja dhe atyre që vërehen në tregje apo markete të caktuara, pasi të dhënat e ASK-së pasqyrojnë mesataren kombëtare dhe jo çmimet individuale të secilit treg”, kanë thënë në ASK.
E rritje prej mbi 53 për qind është shënuar edhe në çmimin e mishit të gjedhit. Teksa të dhënat e ASK-së kanë treguar se në tetorin e 2024-tës një kilogram mish ka kushtuar 9 euro ndërsa në atë të sivjetmë 10.87 euro, në markete gjatë nëntorit është shitur për çmim deri në 13.80 euro.
Qytetarët janë përballur edhe me shtrenjtim të qumështit, orizit, kafesë e çajit.
Këtë situatë, qytetari i Prishtinës, Sabit Klinaku, e ka kualifikuar vështirë të përballueshme.
“E kam një djalë (që më ndihmon) se sa për pension nuk kisha mundur t’i mbuloj se është shtrenjtuar gjithçka… 100 për qind kanë hipur (çmimet) krahasuar me vjet. Buka është shtrenjtuar 100 për qind, mielli. Në bukë kur na ka prek, po në tjerat”, është ankuar ai.
E qytetari, Sokol Avdiu, ka thënë se për ta përballuar këtë rritëm të shtrenjtimit të çmimeve pagat duhet të jenë minimum 1 mijë euro.
“Më lartë nuk e di se ku shkon më. Nuk e di ku po i marrin paratë. Për të jetuar, duhen së paku 1000 euro, për të jetuar qysh duhet. Nuk ka shanse të tubohen (para) edhe për të blerë diçka… krejt (çmimet) janë dyfishuar, trefishuar – pemë, perime e përpjetë. Këtu dola, prej aty e deri këtu i harxhova 50 euro, sikur me t’i marr dikush në xhep”, është shprehur Avdiu.
Në Administratën Tatimore (ATK) kanë thënë se në Kosovë rreth 45 për qind e të punësuarve kanë pagë nga 350 deri në 600 euro.
“Aktiviteti ekonomik, i cili paguan më së shumti qytetarët është me organizata ndërkombëtare, që vlera e pagesës shkon mbi 2 mijë euro. Ndërsa aktiviteti që paguan më së paku është ekonomitë familjare, që vlera e pagesës shkon në 265 euro… Kemi 177 mijë e 110 që janë paguar me nivel të njëjtë të pagesës. Ndërsa dhe pagën mbi 800 euro e kemi 118 mijë”, ka thënë Valentina Bytyçi-Sefa, e cila është zëdhënëse në ATK.
Çmimet e ushqimeve dhe të energjisë elektrike, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) e përbëjnë shtysën kryesore të inflacionit në vendet e Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore, ku bën pjesë edhe Kosova. Rritja e kostos së jetesës përbën shqetësimin kryesor për rreth 70 për qind të qytetarëve të Kosovës, ka treguar një hulumtim i “Valicon”, kompani kjo që bën kërkime dhe analiza të tregut dhe që operon në rajonin e Ballkanit Perëndimor.











