Disa lëshime janë evidentuar në librin e Gjeografisë për nivelin fillor, konkretisht klasën e shtatë në Maqedoninë e Veriut.
E në fakt nuk mund të cilësohen si gabime të vogla duke pasur parasysh se Kosovës iu referohej si “Kosova dhe Metohija”.
Nga kalicioni VLEN përmes një statusi në rrjetet sociale kanë informuar se gabimet e evidentuara për mësim në gjuhën shqipe janë përmirësuar.
Siç thuhet në njoftim, ky përmirësim ndodhi falë angazhimit dhe insistimit të VLEN dhe reagimit të shpejtë të zëvendësministrit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), Lulzim Aliu i cili duke reaguar publikisht theksoi se çështja e teksteve shkollore do të ketë zgjidhje të menjëhershme.
“Me verifikimin e menjëhershëm dhe korrigjimin pa vonesë të gabimeve, VLEN tregon se përgjegjësia institucionale është standardi ynë. Nuk është më si në të kaluarën kur nuk kishte zgjidhje materiali shkollor. Këtë e kemi parë në kohën e BDI-së.Korrigjimet e këtilla përkojnë me standardet shkencore dhe përcaktimin e përgjegjësisë politike për ata që për vite kanë lejuar shtrembërime të tilla. Gjeneratat e reja meritojnë tekste të sakta dhe dinjitoze dhe jo narrativat e shtrembëruara që BDI ka toleruar ndër vite.VLEN vlerëson se fëmijët tanë meritojnë libra të saktë, profesionalë dhe të përditësuara sipas standardeve bashkëkohore që korrigjimet e nevojshme të bëhen madje pa vonesë.VLEN përkushtohet për qeverisje të mirë, cilësi më të mirë në arsim si dhe kushte më të mira për nxënësit e studentët tanë”, thuhet në njoftim.











