Kosova zhytet thellë në deficit tregtar prej 530 milionë euro, eksportet nuk po arrijnë të ndjekin importet

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e reja për tregtinë e jashtme për muajin tetor 2025, të cilat tregojnë rritje të deficitit tregtar dhe të importeve, si dhe një rritje më të moderuar të eksporteve. Në tetor 2025, deficiti tregtar arriti në 530 milionë euro, krahasuar me 493 milionë euro në tetor 2024, që përbën një rritje prej 7.5%.

Kosova po përballet me një përkeqësim të dukshëm të bilancit tregtar, teksa hendeku mes importeve dhe eksporteve po zgjerohet gjithnjë e më shumë.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se në muajin tetor 2025, deficiti tregtar ka arritur në 530 milionë euro, duke u rritur për 7,5 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024, kur ishte 493 milionë euro.

Në këtë periudhë, eksportet mbuluan vetëm 14,8 për qind të importeve, duke dëshmuar se ekonomia e vendit vazhdon të jetë e varur nga produktet e importuara.

Eksportet me rritje të lehtë, importet me ritëm më të shpejtë

Gjatë tetorit, eksportet e mallrave nga Kosova arritën në 91,8 milionë euro, që paraqet një rritje prej 5,1 për qind krahasuar me tetorin e vitit të kaluar.

Ndërkohë, importet u rritën në 621,8 milionë euro, apo 7,2 për qind më shumë, duke e thelluar deficitin tregtar në nivelin më të lartë të këtij viti.

Eksportet e Kosovës dominohen nga metalet bazë dhe artikujt prej tyre (21%), plastika dhe goma (12,5%), si dhe artikujt e ndryshëm të prodhuar (10,8%), ndërsa importet kryesore përbëhen nga mjetet e transportit (13,4%), makineritë dhe pajisjet elektrike (12,5%), dhe produktet minerale (11,2%).

Tregtia me BE-në dhe CEFTA-n

Eksportet e Kosovës drejt Bashkimit Evropian arritën në 31,1 milionë euro, apo 33,8% të totalit, me një rritje prej 10,3 për qind, ndërsa importet nga BE-ja u rritën në 284,3 milionë euro, që përbëjnë 45,7% të importeve të përgjithshme.

Gjermania, Italia dhe Polonia mbeten partnerët më të rëndësishëm tregtarë në këtë zonë.

Në tregtinë me vendet e CEFTA-s, eksportet shënuan një rënie të lehtë prej 0,8%, duke arritur në 39,6 milionë euro, ndërsa importet nga ky grup u rritën në 75,5 milionë euro.
Partnerët kryesorë në këtë grup janë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Varësia nga tregjet e huaja po rritet

Eksportet e Kosovës me vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s arritën në 21,1 milionë euro, kryesisht drejt Zvicrës (11,6%) dhe Turqisë (3,2%).
Nga ana tjetër, importet nga këto tregje u rritën në 262 milionë euro, të udhëhequra nga Kina (14,4%) dhe Turqia (12,7%).

Rritja e deficitit tregon se Kosova po zhytet gjithnjë e më thellë në varësi ekonomike, me sektorin e prodhimit dhe eksportit që nuk po arrin të mbajë hapin me kërkesat e tregut dhe fluksin e importeve./Demokracia.com/.