Kosova vazhdon të blejë shumë e të shesë pak- importet rriten dyfish më shumë se eksportet në shtator 2025

Edhe pse institucionet vazhdojnë të flasin për “rritje ekonomike” dhe “rritje të eksporteve”, statistikat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë një realitet tjetër, ekonomia e vendit po bëhet gjithnjë e më e varur nga importet, shkruan Demokracia.com.

Në shtator të vitit 2025, deficiti tregtar i Kosovës u thellua ndjeshëm, me importet që po rriten pothuaj dy herë më shpejt se eksportet, duke reflektuar një prodhim vendor të dobët dhe mungesë konkurrueshmërie në tregjet ndërkombëtare.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikouar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin Shtator 2025.

Të dhënat e fundit të ASK-së për tregtinë e jashtme të mallrave tregojnë për një deficit tregtar prej 520,5 milionë euro, që nënkupton një rritje prej 21,2% krahasuar me shtatorin e vitit 2024 (kur deficiti ishte 429,4 milionë euro). Eksportet mbulojnë importet vetëm me 14,1%, një tregues i qartë i pabarazisë së thellë tregtare.

Eksportet dhe importet në rritje

Në shtator 2025, eksportet e mallrave kishin vlerën 85,8 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 10,7% krahasuar me një vit më parë.
Ndërkaq, importet arritën në 606,2 milionë euro, me një rritje prej 19,6%, çka tregon për një ritëm shumë më të lartë të rritjes së konsumit të mallrave të huaja sesa të prodhimit vendor.

Struktura e eksporteve

Sipas të dhënave të ASK-së, grupet kryesore të eksporteve janë:

Metalet bazë dhe artikujt prej tyre – 19,1%

Plastika, goma dhe artikujt prej tyre – 12,5%

Produktet minerale – 12,4%

Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani – 11,5%

Artikujt e ndryshëm të prodhuar – 9,5%

Produktet bimore – 7,7%, etj.

Struktura e importeve

Në anën tjetër, grupet kryesore të importeve përfshijnë:

Produktet minerale – 14,6%

Makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike – 11,3%

Metalet bazë dhe artikujt prej tyre – 11,3%

Ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani – 11,2%

Mjetet e transportit – 10,0%, etj.

Tregtia me Bashkimin Evropian (BE)

Eksportet në BE: 28,0 milionë euro (32,7% e eksporteve totale), me një rritje prej 2,6%. Partnerët kryesorë janë Gjermania (11,5%), Italia (2,9%) dhe Holanda (2,6%).

Importet nga BE: 249,4 milionë euro (41,1% e importeve totale), me një rritje prej 17,3%. Vendet me pjesëmarrjen më të lartë janë Gjermania (12,7%), Italia (6,1%) dhe Polonia (3,4%).

Tregtia me vendet e CEFTA-s

Eksportet: 40,6 milionë euro (47,4% e eksporteve totale), me rritje prej 21,4%.
Partnerët kryesorë: Shqipëria (21,4%), Maqedonia e Veriut (11,0%), Serbia (8,4%), Mali i Zi (4,8%).

Importet: 87,8 milionë euro (14,5% e importeve totale), me rritje prej 34,4%.
Vendet me pjesëmarrje më të madhe: Maqedonia e Veriut (5,6%), Shqipëria (3,6%), Serbia (3,5%).

Tregtia me vendet e tjera

Eksportet: 17,1 milionë euro (19,9% e eksporteve totale).

Partnerët kryesorë: Zvicra (11,0%) dhe Turqia (3,7%).

Importet: 269,0 milionë euro (44,4% e importeve totale).

Pjesëmarrja më e lartë: Kina (15,6%) dhe Turqia (12,8%).

Pavarësisht rritjes modeste të eksporteve, Kosova po thellon varësinë nga importet, ndërsa struktura e eksporteve mbetet e përqendruar në mallra me vlerë të ulët të shtuar. Kjo situatë duket serioze për politikat industriale dhe ekonomike të vendit, të cilat duket se ende nuk kanë gjetur një mënyrë për të balancuar raportin midis prodhimit dhe konsumit të jashtëm. /Demokracia.com/