Kosova U21 ka shënuar fitore 2-0 përballë Azerbajxhanit në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Djelmoshat e Rafet Prekazit zhvilluan një ndeshje tejet të mirë që nga minuta e parë.
Njëri nga më të mirët në fushë ishte sulmuesi, Florent Hasani që luan në kampionatin hungarez tek DVTK Diosgyori, i cili shënoi golin e parë në minutën e 54-të, për rezultatin 1-0. Ndërsa, golin e dytë e shënoi Ardian Ismaili në minutën e 61-të për rezultatin përfundimtar 2-0.
“Ishte paraqitje shumë e mirë e ekipit poashtu edhe paraqitje individuale kisha të mirë në këtë ndeshje”.
“Shënova gol dhe jam i lumtur sa herë që shënoj por edhe për fitoren e marrë” deklaroi Florent Hasani pas ndeshjes.
Ndërkaq, trajneri Rafet Prekazi pas ndeshjes ka deklaruar se Kosova ka ngritje në lojë dhe se këta djem dinë të luajnë futboll”.
Ne kemi luajtur mirë edhe në ndeshjet e kaluara, por na ka munguar përvoja. Kam thënë se do të marrë edhe futbollistë nga Liga e Kosovës dhe jam i bindur se kemi potencial për rezultate shumë të mira”, ka thënë Prekazi pas ndeshjes.
“Është kënaqësi të jesh trajner i këtyre djemve. Koha po punon për ne dhe jam i sigurt se pas 4-5 vjetësh, Kosova do të jetë një skuadër shumë e respektuar”, është shprehur Prekazi, i cili pret që edhe kundër Gjermanisë të tregojnë lojë të mirë, ndonëse thekson se bëhet fjalë për një rival që është kampion bote.
Kosova aktualisht ndodhet në vendin e tretë me 10 pikë, aq sa ka edhe Republika e Irlandës që gjendet në vendin e dytë. Kurse, Gjermani ndodhet në vendin e parë me 15 pikë.