Kosova s’po ua mbush syrin Kurtit, Gërvallës e Hajdarit, familjet e tyre jetojnë jashtë vendit

Familjarët e disa prej figurave kryesore të qeverisë nuk jetojnë në Kosovë.

Familja e kryeministrit Albin Kurti vazhdon të jetojë jashtë vendit, njëjtë si familjet e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, dhe asaj të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Analistët dhe gazetarët e shohin si paradoksale faktin që një qeveri i premton qytetarëve një të ardhme më të mirë në Kosovë, ndërsa vetë zgjedh të mbajë familjet e veta në vende të zhvilluara evropiane.

Aferdita Maliqi, analiste, e cilëson këtë situatë absurde.

“Një kryeministër merr vendime për mua dhe për ju, por për familjen e tij vendos një shtet tjetër”, tha Maliqi.

Sipas saj, kjo tregon një mungesë të thellë besimi në institucionet që qeveria drejton.

Aktivisti Ramadan Morina shprehet se mungesa e familjes ndikon në vendimmarrjen e kryeministrit.

Ndërsa populli i tij përballet me realitetin e përditshëm, ai nuk ka të njëjtin presion emocional dhe praktik që do ta kishte po të jetonte me familjen është shprehur Morina, në emisionin “Ora Shtatë”.

Ndërkaq, gazetari Ardian Gaxherri theksoi se një kryeministër me familjen jashtë vendit është një fenomen i panjohur në shtetet e zhvilluara.

“Nuk njohim asnjë kryeministër të botës së zhvilluar që udhëheq një vend, ndërkohë që familja e tij jeton diku tjetër. Kjo nuk është normale”, u shpreh Gaxherri.

Ai kujtoi po ashtu një premtim të bërë nga Kurti gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kur kishte deklaruar se familja e tij do të kthehej në Kosovë nëse ai fitonte zgjedhjet. “Kjo ka rezultuar të jetë vetëm një tjetër gënjeshtër e radhës”, shtoi Gaxherri.