Kosova “shpërthen” rrjetin në Turqi pas fitores ndaj Sllovakisë

Fitorja e Kosovës mbrëmë ndaj Sllovakisë në gjysmëfinalen e play-off-it për Botërorin 2026 është kthyer në temë diskutimi në shumë vende, së paku në rrjetin online.

Derisa në Sllovaki u komentua gjerë e gjatë kjo humbje, që për ta u konsiderua “e dhimbshme”, Kosova ka zgjuar kureshtjen edhe të një vendi tjetër.

Në Turqi, në 24 orët e fundit, tema e Kosovës është kthyer në trendin numër një në kërkimet online.

Kjo vjen për faktin se katër ditë më vonë, të martën më 31 mars, do të jenë turqit që do të vijnë në Prishtinë për t’u përballur me “Dardanët” në finalen e play-off-it për të siguruar një biletë për në Kupën e Botës.

Sipas të dhënave nga “Google Trends”, del se në kategorinë “Top kërkimet”, termi “Kosova” në Turqi ka shënuar rritje prej 650%!

Ndërkaq, te kategoria “Kërkimet në rritje”, shprehjet “Bileta për ndeshjen Kosovë-Turqi” dhe formulime tjera të ngjashme për temën e njëjtë, janë në “Breakout” (Shpërthim).

“Shpërthim” në “Kërkimet në rritje” të “Google Trends” nënkupton se një term kërkimi është rritur me mbi 5,000% në krahasim me periudhën paraprake ekuivalente kohore. Kjo tregon një rritje masive dhe të papritur të popullaritetit, që shpesh përfaqëson tema të reja, trende virale ose interesa kërkimi në zhvillim që më parë kishin pak ose aspak vëllim.

Të martën, më 31 mars, nga ora 20:45, në “Fadil Vokrri”, “Dardanët” presin Turqinë për ndeshjen finale në rrugën drejt Botërorit 2026 që do të mbahet në ShBA, Kanada dhe Meksikë. /Klankosova.tv