Kosova shkruan historinë. Fitore spektakolare në Bratislavë dhe tani është vetëm 90 minuta larg Botërorit (video)

Kosova ia ka dalë me sukses në Bratislavë, duke fituar 3-4 ndaj Sllovakisë dhe duke shkuar kështu në finalen e madhe, e cila do të luhet ndaj Turqisë në “Fadil Vokrri”. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 6-të, me anë të Martin Valjent, i cili shënoi me kokë pas krosimit që mori nga Lukas Haraslin nga goditja e dënimit.

Kosova është kundërpërgjigjur në mënyrën më të mirë golit të shpejtë të Sllovakisë, duke barazuar shifrat me Veldin Hoxhën në minutën e 21-të, i cili shënoi me një goditje të bukur me të majtën në kufijtë e zonës së rreptësisë, pas asistit të Mërgim Vojvodës.

Në fund të pjesës së parë, Lukas Haraslin shënon direkt nga goditja e dënimit, duke përfituar nga një mungesë vëmendjeje e portierit Aro Muric dhe mbrojtjes po ashtu. Pjesa e parë mbyllet 2-1 për Sllovakinë, e dyta foli e gjitha për Dardanët.

Pas një krosimi perfekt të Mërgim Vojvodës, Fisnik Asllani shënoi një gol të jashtëzakonshëm me kokë, duke barazuar shifrat 2-2, në minutën e 47-të. Në minutën e 60-të, Florent Muslija shënon golin e avantazhit 2-3, duke ekzekutuar në mënyrë perfekte goditjen e dënimit. Në minutën e 72-të, Kreshnik Hajrizi vulos fitoren për Kosovën me golin e tij, pas një topi të ardhur nga goditja e këndit dhe pasi tentativa e parë nga Baton Zabërgja u ndal nga portieri vendas, në tentativën e dytë topi përfundoi në rrjetë, pas goditjes së qëndërmbrojtësit dardan.  Në minutat shtesë, Sllovakia shënon golin e tretë me David Strelec, por nuk ka më kohë. Kosova fiton 3-4 dhe tani është vetëm 90 minuta larg Botërorit.

SHIKOGOLAT

The post Kosova shkruan historinë. Fitore spektakolare në Bratislavë dhe tani është vetëm 90 minuta larg Botërorit (video) appeared first on Telesport.