Kosova shembull i demokracisë funksionale, vlerëson The Economist

Revista prestigjioze britanike The Economist ka vlerësuar se zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Kosovë përbëjnë dëshmi të qarta të funksionimit dhe qëndrueshmërisë së demokracisë në vend.

Në analizën e saj, The Economist thekson se Kosova, e cila shpalli pavarësinë pas ndërhyrjes së NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vitin 1999, sot shihet si një shtet relativisht stabil dhe demokratik, pavarësisht sfidave të vazhdueshme ekonomike.

“Çdokush që vë në dyshim nëse ndërhyrjet ushtarake perëndimore kanë pasur ndonjëherë synim të sinqertë ndërtimin e demokracisë, duhet të shikojë Kosovën. Pavarësia e saj është rezultat i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, e cila ndali një fushatë brutale të spastrimit etnik nga Serbia”, shkruan revista.

Sipas artikullit, fitorja bindëse e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në zgjedhjet e dhjetorit i siguron atij një mandat të fuqishëm politik. Kjo, sipas The Economist, i hap rrugë ratifikimit të marrëveshjes së bashkëpunimit me Bashkimin Evropian dhe zhbllokimit të rreth 880 milionë eurove ndihma financiare të pezulluara nga BE-ja.

Revista vlerëson se ky rezultat zgjedhor kontribuon në përmirësimin e marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian, ndërkohë që raportet me Serbinë mbeten ende të tensionuara.