Në termocentralet e Kosovës, blloqet po ndizen e fiken mjaft shpesh. Edhe pse kanë kaluar disa herë nëpër remont, njësitë e vjetra herë kthehen në prodhim, e herë bien sërish nga sistemi, duke lënë vendin në mëshirë të ndërprerjeve, importit dhe krizave periodike të energjisë. Katër vitet e fundit, nën qeverisjen Kurti, sektori energjetik është tronditur nga defekte të njëpasnjëshme, zjarre, ndërhyrje urgjente dhe skandale menaxheriale. E ndërsa retorika zyrtare flet për stabilitet, realiteti i tregut flet ndryshe, vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Doganës, Kosova ka importuar rrymë me vlerë 221 milionë euro, shkruan Demokracia.com.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka hapur tenderin për “Remontin kapital të kazanit në Termocentralin Kosova A, Njësia A5”, me vlerë rreth 2.15 milionë euro. Tenderi do të jetë i hapur deri më 8 dhjetor 2025, dhe nëse procedurat ecin sipas planit të prokurimit, punimet mund të nisin në muajin janar 2026. (Njoftimi)
Sipas dokumentacionit teknik, që përmban dhjetëra faqe të punëve të specializuara dhe kontrollimeve në sistemin e kazanit, remonti përfshin çmontim, zëvendësim dhe modernizim të komponentëve kryesorë të njësisë, përfshirë:
- pastrim dhe zëvendësim të gypave të djegies
- riparim të shkëmbyesve të nxehtësisë
- demolim dhe rindërtim të mureve të shamotit
- testime jo-shkatërruese të qindra nyjeve dhe saldimeve
- rikthim të izolimeve dhe strukturave mbajtëse (Pozicionet teknike)
Që këto punime të realizohen, blloku A5 duhet të ndalet plotësisht për një periudhë të konsiderueshme kohore. Sipas dosjes, afati i ekzekutimit të kontratës është 81 ditë pune, çka nënkupton se njësia mund të qëndrojë jashtë funksionit për rreth 3 muaj.
Kjo nënkupton se ndalja e bllokut A5 mund të ndodhë në kulmin e dimrit, periudhë kur kërkesa për energji elektrike në vend tradicionalisht është më e larta e vitit.
Aktualisht, blloku A5 konsiderohet një nga njësitë më shumë rëndësi prodhuese të termocentralit Kosova A. Ndalja e tij gjatë muajve të ftohtë mund të kushtëzojë rritje të importit të energjisë, duke ekspozuar vendin ndaj çmimeve të paqëndrueshme në tregjet ndërkombëtare të rrymës. /Demokracia.com/










