Kosova përcakton pritshmëritë e saj nga Sorenseni

Nga Prishtina e nis rrugëtimin e tij si emisar i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, i cili të hënën takoi udhëheqësit shtetërorë dhe përfaqësuesit e opozitës.

Në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer funksionalitetin e procesit të normalizimit, emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, ka qëndruar të hënën në Prishtinë – në vizitën e tij të parë që nga marrja e detyrës – ku ka takuar udhëheqësit shtetërorë dhe përfaqësuesit e opozitës.

Përderisa udhëheqësit institucionalë kanë kërkuar nga Sorenseni të insistojë në zbatimin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, dorëzimin e kryeterroristit serb, Millan Radoiçiç, para organeve të drejtësisë në Kosovë dhe heqjen e masave kufizuese, përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar përfshirje të Shteteve të Bashkuara.

Gjithashtu, një aspekt i veçantë që është diskutuar gjatë këtyre takimeve ka qenë edhe draft-statuti i propozuar nga BE-ja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin diplomati danez ka pranuar vërejtje nga liderët politikë në Kosovë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përveç se ka theksuar rëndësinë e zbatimit “të plotë dhe të balancuar” të marrëveshjeve të arritura, ka paraqitur para mediatorit të BE-së vërejtjet e saj për draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Presidentja Osmani paraqiti vërejtjet e saj për draftstatutin e asociacionit të propozuar nga BE, vërejtje të cilat duhet të trajtohen me seriozitet në mënyrë që të parandalohet rrezikimi i funksionalitetit të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e tij të parë me përfaqësuesin special, ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit “të plotë dhe të pakushtëzuar” të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të Ohrit. Gjithashtu, ai ka kërkuar që BE-ja të heqë “menjëherë masat e padrejta” ndaj Kosovës, krahas dorëzimit të Radoiçiçit para drejtësisë në Kosovë.

“Duke rikujtuar sulmin paramilitar në Banjskë në shtator 2023 dhe sulmin terrorist në Ibër-Lepenc në nëntor të vitit të kaluar, ai nënvizoi gjithashtu rrezikun që kryeterroristi Radoiçiç, bashkë me grupin e tij, vazhdon të paraqesë për sigurinë e vendit dhe normalizimin e marrëdhënieve për sa kohë që vazhdon të jetë i lirë në Serbi”.

Sorenseni ka vazhduar aktivitetin e tij diplomatik në Prishtinë me takime me liderët e opozitës. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka ritheksuar mbështetjen për dialogun dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së. Ai gjithashtu ka kundërshtuar draft-statutin, duke e cilësuar “autonomi territoriale” në Kosovë.

“LDK i jep përkrahje procesit të dialogut me ndërmjetësimin e BE-së dhe përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBA-së; me theks të veçantë në arritjen e njohjes së ndërsjellë. E njoftova në veçanti me pozicionin tonë për refuzimin e draft-statutit të pranuar nga qeveria në largim; si dokument i autonomisë territoriale brenda Kosovës”.

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë thirrje për “energji të re, qasje konstruktive dhe fokus të qartë” në rezultate konkrete. Ai deklaruar se dialogu duhet të ketë synim një marrëveshje gjithëpërfshirëse me njohje të ndërsjellë.

“Prandaj, është e rëndësishme që ky proces të rifillojë me energji të re, qasje konstruktive dhe fokus të qartë në rezultatet konkrete. Nënvizova pritshmërinë tonë që BE-ja të ruajë një qasje të ekuilibruar, duke respektuar parimet e barazisë dhe reciprocitetit në të gjitha fazat e dialogut”, ka shkruar ai në “Facebook” të hënën.

E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit me diplomatin danez, ka vlerësuar rolin e BE-së në procesin e dialogut, por ka theksuar gjithashtu rëndësinë e partneritetit mes BE-së e SHBA-së për suksesin e Kosovës.

Sorenseni ka nënvizuar se pas takimeve që do të ketë në Prishtinë e Beograd do të shohë se si do të veprojë. Në një prononcim për gazetarë, ndërmjetësi evropian ka shtuar se prioritet do të jetë të sigurojë takime mes përfaqësuesve të Kosovës e Serbisë.

“Dialogu është për t’u siguruar që të ketë takime. Se a do të thotë kompromis apo jo, u takon palëve për ta përcaktuar. Dialogu është për këtë dhe këtë jemi duke e bërë që nga viti 2011”, ka thënë ai. “Synimi është  që të vazhdojë procesi dhe të ecet përpara”.

Për vëzhguesit, duke qenë se është ende e paqartë se kur dhe si do të formohet qeveria e re e Kosovës, dhe për shkak të situatës dramatike në Serbi, ku protestat e studentëve kanë lëkundur për herë të parë pushtetin autoritar të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, nuk është realiste të pritet progres i madh gjatë pjesë së parë të vitit 2025.

Prishtina dhe Beogradi kanë arritur një “marrëveshje historike” para dy vitesh, fillimisht në Bruksel, pastaj në Ohër. Megjithatë, përkundër insistimit të diplomatëve evropianë se Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit janë ligjërisht obligative, ajo nuk është zbatuar akoma, ndërsa tensionet vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.